Gjilan

Haziri: Prej sot në Gjilan bashkëjetojnë figurat kolosale, Idriz Seferi, Mulla Idriz Gjilani dhe Agim Ramadani

 

Gjilan, 28 nëntor 2019 – Janë inauguruar sot në qendër të Gjilanit shtatoret e heronjve të kombit, Mulla Idriz Gjilani dhe Agim Ramadani, duke iu basshkuar kështu edhe shtatores së Idriz Seferit, i zbuluar në 28 nëntorin e vitit 2017.

Pas inaugurimit, kreu i Gjilanit dhe iniciatori i ngritjes së shtatoreve, Lutfi Haziri, tha se prej sot do të bashkëjetojnë dhe komunikojnë mes vete Idriz Seferi, Mulla Idriz Gjilani e Agim Ramadani, përskaj shumë dëshmorëve të tjerë, të cilët e dhanë jetën për këtë ditë të bardhë.

Haziri pohoi se Gjilani sot bashkon tri figurat kolosale të kombit shqiptar që në ditët më të vështira të atdheut, u kryengritën për t’i bashkuar shqiptarët dhe për t’i afruar në një tokë, nën një qiell dhe nën një diell.

“Në vitet 1908-1912, nën udhëheqjen e Idriz Seferit, kryengritja e Karadakut për të çliruar Shkupin dhe për t’i bashkuar shqiptarët, ishte kushtrimi për të luftuar për pavarësinë e Shqipërisë. Nën udhëheqjen e Mulla Idriz Gjilanit në vitin 1944-1945, burra e gra të Karadakut, Gollakut e Moravës së Gjilanit, u kryengritën për t’i dhënë fund perandorive, në mënyrë që të jetojmë të lirë dhe të pavarur. Ndërsa, Agim Ramadani, në kryengritjen e vitit 1998-1999, dëshmoi se atdheu duhet aty ku je dhe aty ku duhet të çlirohet. Kjo dashuri e tij pej ushtaraku, poeti e piktori, erdhi pasi edukimin prej kryengritësi e kishte të brumosur, duke arritur që ta thejë kufirin qëi ndante shqiptarët”, ka thënë Haziri.

Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, pasi përgëzoi kreun e Gjilanit për inicimin për ngritjen e shtatoreve, tha se ky akt do të na e kujtojë gjithmonë madhështinë e veprës së këtyre heronjve, ndërsa ish komandanti i ZOK, Ahmet Isufi, pohoi se ngritja shtatoreve të kolosëve, tregon për një sublimim të të gjitha vlerave tona kombëtare e historike.

Falënderim për kreun e Gjilanit, Lutfi Haziri, kanë shprehur edhe Isa Mullaidirizi, djali i heroit Mulla Idriz Gjilani, sikurse edhe Jeton Ramadani, djali i heroit Agim Ramadani, të cilët folën në emër të familjeve.

Ndërkaq, në fund, vëllai i heroit Agim Ramadani, Jashari, i ka dorëzuar kryetarit Lutfi Haziri një mirënjohje për iniciativën dhe kontributin për ngritjen e shtatores së kolosit të Karadakut.

You Might Also Like