LAJME

Haziri: Të rinjtë e Gjilanit po e marrin flamurin e thellimit të tolerancës ndërfetare dhe ndëretnike

Gjilan, 21 tetor 2018 –  “Më gëzon fakti që gjeneratat e reja po e kultivojnë dialogun ndërfetar dhe ndëretnik. Pra, të rinjtë janë gjenerata që po e marrin flamurin e thellimit të tolerancës ndërfetare dhe ndëretnike”.

Kështu ka thënë sot kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në përmbyllje të “Kampit rinor për promovimin e diversitetit ndërfetar dhe ndërertnik”, të organizuar nga OSBE në bashkëpunim me Bashkësinë Islame, Kishën Katolike e Kishën Ortodokse.

“Përveç tjerash, më ka gëzuar fakti që Gjilani sot në botë përmendet si shembulli më i mirë i kultivimit të dialogut dhe tolerancës ndërfetare e ndëretnike. Diversiteti e shton vlerën tonë nëse arrijmë ta ruajmë. Ne që besojmë e themi se Zoti nuk na ka falë të njejtë, por të barabartë”, ka nënvizuar kreu i Gjilanit.

Gjatë përmbylljes së këtij kampi, të rinjtë e të gjitha konfesioneve fetare kanë paraqitur para të pranishmëve kërkesat e rekomandimet e tyre për Komunën dhe bashkësitë fetare në të mirë të kultivimit të dialogut, e që kreu i Komunës dhe përfaqësuesit fetar kanë konfirmuar se do t’i mbështesin.

Përndryshe, në takim kanë marrë pjesë edhe kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim Aliu, Don Kastrioti nga Kisha Katolike dhe igumani i Manastirit të Dragancës, Illarion.

You Might Also Like