ARSIMI

Humanizmi zviceran, dorë e djathtë për studentet gjilanase

Një ndër detyrat më të vështira jetësore është zgjedhja e drejtimit për studime: zgjedhja e profesionit. Në Kosovë, çdo student/e, në momentin që zgjedh drejtimin duhet të mendojë për anën materiale gjatë studimeve, përveç pjesës studimore. E, si të përgatitet studneti/ja materialisht, në rast se nuk ka askënd të punësuar, rrjedhimisht pa të ardhura në familje. Një sfidë të tillë patën tri motrat Mehmeti nga Gjilani, të cilat nuk do të kishin mundësi të studionin aty ku synonin, në qoftë se nuk do t`i zgjatnin dorën tri familjet zvicerane dhe një familje nga Kosova.

Studentja Liridona Mehmeti, tashmë në përfundim të studimeve master, shpreh falënderime e mirënjohje për mbështetjen materiale që i dhanë këto familje, për pesë vjet studime radhazi. Po ashtu, humanizmi i këtyre familjeve vazhdoi edhe për dy motrat e saj, Linditën dhe Antigonën, studente në Universitetin e Prishtinës. “Falë tyre filluam studimet, falë tyre ne po realizojmë tri qëllime profesionale: gjuhësi, art, biologji”, thekson me emocion Liridona. Nismë e kësaj vepre të madhe ishte daja i tyre, sociolog dhe përfaqësues i komunitetit të shqiptarëve në Zvicër, i cili nisi këtë projekt human. Vullneti i madh i tij, bashkë me përkrahjen e madhe të tri familjeve zvicrane siguruan dhe ndërtuan të ardhmen e tri studenteve nga Gjilani.

Ata kanë dashur të mbesin anonimë, të mos publikojnë as emrat, e as kontributin e vet, pasi humanizmi për ta është virtyt i lartë njerëzor: obligim moral e kombëtar. Mirëpo, për studentet gjilanase, humanizmi, solidariteti, dashamirësia e tyre duhet të përmendet gjithmonë, ngase është sakrificë e madhe mbështetja morale e materiale gjatë studimeve. Anna Frank kishte thënë “Askush nuk është bërë i varfër, duke dhënë”, madje është pasuri e madhe kur ndihmon dikë për shkollim, për të realizuar një qëllim jetësor. Pra, a ekziston vepër më humane e më e dobishme, sesa të krijosh mundësi materiale për studentët, të cilët janë shtyllë zhvillimore për çdo shoqëri.

Studentet në fjalë kanë treguar mjaft përkushtim në studime, duke qenë të suksesshme, njëkohësisht, të tria janë bursiste. Ato janë shumë mirënjohëse ndaj familjeve zvicerane, për gatishmërinë materiale që u ofruan gjatë këtyre viteve; u dhanë motivim për punuar shumë sot, në mënyrë që ta ndihmojnë veten dhe të tjerët nesër, gjithashtu, të mos  harrojnë kush ishin deri dje. Ndërkaq, studentet kanë një porosi për humanistët: “Çdo e arritur jona, qoftë krenari e shpërblim për ata. Shembulli i tyre do të na udhërrefejë për jetë”.

You Might Also Like