Libri

Ibrahim Kadriu – Poezi të reja, enkas për revistën AGMIA

 

Ibrahim KADRIU

DUKE IU PËTULUR MUZAVE ….

( Poezi të reja, enkas për revistën AGMIA )

PAMJE

Gruaja ofron shpirtin e lodhur para kamerës
Në vend të fjalëve nxjerr lot
Përkëdhel fëmijën me këmbë të zbathur,
Aq mundet t’i ofrojë veç dashuri nëne
As bukë as mbathje nuk mund t’i sigurojë
Gruaja me shpirt të lodhur në pamundësi jete
Shikimi i saj arrin gjithkund përmes TV-së
Nëpër sallone në ekranet shumëdimensionale
Rrëfim i keq që prish rehatinë
E njerëzve me shpirt të lodhur nga monotonia.
Gruaja vazhdon të derdh lot
Dhe lutje për jetë
Gruaja me shpirt të lodhur para kamerave,
Nuk di se ç’po ndodh në botë
Shikimin e ka të zënë
Me pamje nga fëmija që i lëpin gishtat
E me psherëtimë i jep përgjigje
Gazetares që e pyet: – Si po jeton

ESHTRAT NË MUNGESË

Të jemi nën lëkurën e atyre që kërkojnë eshtrat,
Ata janë pa vetveten
Të lënë vasalë të pritjes
Veç të eshtrave
Se jetët ua vodhën
Në çdo moshë
Në çdo skaj Kosove
Të bërë psherëtimë
Tash e njëzet vjet më parë
Kërkim i dashurive të humbur
Të nënës, babait, vëllait, motrës…
Kufoma të vjedhur nga frika serbe
Se edhe kufomat do t’ua ndalin urrejtjen
Atyre që erdhën si murrlani
Që ndalen frymëmarrjet
Dhe si korbat bartën kufomat
E i vendosen në oborret e tyre
T’i kenë para shikimit
Për të qenë të sigurt se nuk do të ngritën prapë.
Të jemi nën lëkurën e nënës, babait, vëllait, motrës…
Dy dhjetëvjetësha pa ua falë lamtumirën e fundit
Të afërmve kufoma
Të burgosur në adresa të humbur
Në varre të përbashkëta, iu thonë,
E vrasësit bëjnë sehir
Me veset e egërsisë mesjetare, o Zot!

NËNA E HEROIT

Kërrusur nga dhembja shpirtërore
Për vitet e numëruara me lot Për të birin
Që i shkoi me këmishë të bardhë
Të kthyer me njolla gjaku

JASHTË EKLIPSIT

(Poetit nga Saranda, Agim Mato)

Jashtë eklipsit të bëra pritjen
Të shihja ku je dhe ku ishe,
Të gjeta duke kërkuar dritën –
Kur në shpirt dridhje kishe…

Valëve të detit t’gjeta pa busulle,
Në mëshirë t’ erërave, aq përplasje…
I mëshiruar me shqelma e shpulle –
Udhëkryqeve të jetës me ngasje…

Të gjeta duke numëruar plagët,
Vazhdimisht të bëra nga i njëjti fis
Me ideologji shterpë e të largët
T’i ndrydhte ndjenjat tua, ai pis.

Se si të shpëtoi barka në ato valë,
Miku im i kalitur me lot e kërbaç;
Që ethet n’ vazhdime të ishin halë…
Të shkuara n’pakthim, jetë të mirë paq!

PËRBALL POEZISË

(Letër poetit Agron Tufa)

Të kërkoja rrugëve të vetmisë, poet
Të gjeta të shndërruar në këngë e vaje
Me sy fushave, maleve, n katund e qytet
Duke mbledhur polen për idetë që mbaje.

I shndërruar në mendim për atë që vret,
Për shërim të shpirtit të plagosur ,
Frymëmarrjen ta ndalin fytyra pa identitet
Organizma n’ kortezhe për t’i varrosur.

Me armiq të poezisë thyer ke shpata,
Me ata që thua – shtohen për çdo ditë,
U armatose bindshëm netëve të gjata
Vlerave të logjikës t’iu siguroje dritë.

Derdhje lot për topitje shqisash, me lot frike
Në masën përtace të konsumimit;
Në vorbullën e vdekjes të ndjenjave autentike
Gjatë ndërrimit të veseve, gjatë infiltrimit.

Të gjeta në një kënd të botës me vetveten
Larg ndotjeve të shpirtit, veç me idetë tua
Duke iu përulur muzave të mos treten –
T’iu ofrosh jetë shënimeve të ankthit, siç thua.

HASANI I DELISË

Kam mbetur peng i vullnetit
Në bregun e hapësirave që më rrethojnë
E nuk më lënë të jem I vetvetes dhe për vetveten
Të shtrihem gjerë e gjatë
Brenda kujtimeve të kënaqësisë
Tash kur një Hasani i Delisë
Pa themel e kulm të shtëpisë
Brengën që e bart trashëgim
E shpreh me lot e ofshamë
Pale mos del ndonjë shpirtmadh
Që nga ëndrra kishte për t’ ardh’
Si rreze e diellit kur jetës i falet
Dhe gëzon blerimin te fusha e malet,
Të ngopë sytë dhe barkun, besa
Dhe për jetë t’i ngjallet shpresa.
Kur thashë se kam mbetur peng
Flas për keqardhje dhe brengë
Ndaj dhembjes dhe urisë
Të të quajturit Hasani i Delisë.
E pra, të thuhet pa ekuivokë
Se ishte me këmbët lëshuar në tokë
Te e cila e ka varrin të sigurt
Derisa në lutje për jetë
I mban të shtrirë du’rt.
Ky tip burri me disiplinë
Kapërcente gatitu çdo stinë,
Shembull njeriu me devotshmëri,
E nderon shtetin që s’i ndihmon atij.

You Might Also Like