OPINION

IBRAHIM RUGOVA, UDHËRRËFYES PËR SECILIN BREZ E KOHË

Sabit Rrustemi

Në historinë dymijë e sa vjeçare të Dardanisë Antike apo të Kosovës së sotshme, kjo pjesë e Ilirisë së Moçme, ka vetëm një President historik dhe ky është Ibrahim Rugova.
Populli i Kosovë ishte ai që e përzgjodhi qysh më 24 Maj 1992 si President, e rizgjodhi po më 22 Mars 1998 dhe më pas, në Kosovën e pas luftës, Kuvendi i Republikës së Kosovës ia besoi po këtë post më 4 mars 2002 dhe më 3 dhjetor 2004.
Bota demokratike në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e pranoi dhe e njohu si President , edhe në një Kosovë të robëruar e, edhe në një Kosovë të lirë, të pavarur e demokratike, siç është sot.

Ibrahim Rugova erdhi në jetë në kohën kur ende zyrtarisht nuk ishte përmbyllur lufta e dytë botërore, më 2 dhjetor 1944. Kosova e asaj kohe vuante si mos më keq nga masat e ndërrmarra ushtarake të Jugosllavisë avnojiste, e cila deri në vitin 1966 e mbajti këtë vend thuaja nën adminisitrim ushtarak m masa tejet represive.
Një frymim më të lirë, jo vetëm Ibrahim Rugova, po edhe populli të cilit i përkiste, e gëzoi nga viti 1968 e deri në Pranverën e vitit 1981, kohë kjo kur Rugova dhe jo vetëm Ai, arriti të shkollohej dhe zhvillohej si personalitet intelektual falë Universitetit të Prishtinës dhe punës së tij të palodhur në nxënien e dijës, ku u promovua si njeri publik përmes gazetës studentore “Bota e re”, revistës DITURIA si dhe gazetës së përditshme të kohës, RLINDJA e në veçanti, nga Instituti Albanologjik i Kosovës dhe Redaksia e botimeve “RILINDJA”, ku dha kontributin e tij tejet të çmueshëm me shkrimin dhe botimin e librave të ndryshëm jo vetëm si autor po edhe redaktues e vlerësues i tyre.
Bëri emër si studiues e kritik letrar dhe me punën e tij intelektuale në fushën e letërsisë u cilësua edhe si prijës i një eliteje të re intelektuale në Kosovën e viteve shtatëdhjeta të shekullit të kaluar.
Gjatë viteve të tetëdhjeta të shekullit njëzet, përmes VEPRËS SË BOGDANIT dhe REFUZIMIT ESTETIK, paralajmëroi një kurs të ri angazhimi në veprimtarinë e tij , që kulmoi me themelimin dhe zgjedhjen e tij kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, lëvizjes më të madhe që kishin ndonjëherë shqiptarët në këto treva të Ballkanit.
Ishin vitet më të rënda nëpër të cilat po kalonte Kosova që pas rënies së Rankoviqit më 1966, kohë në të cilën u shtuan vrasjet, burgosjet e represaliet e përditshme ndaj shqiptarëve.
Ibrahim Rugova, pandalshëm e parreshtur, me urtinë, dijen e angazhimin e tij intelektual e atdhetar po bëhej një zë i çiltër dhe i artikulluar i kërkesave të shqiptarëve të Kosovës, fillimisht nga pozita e shkrimtarit, e intelektualit e më pas, nga viti 1989 e deri në frymën e Tij të fundit, edhe prijës i kësaj lëvizjeje paqësore, me demokraci kundër dhunës, e cla u unifikua fuqishëm në Vizionin për liri, pavarësi e demokraci, që tashmë njihet si vizion rugovian që Kosovën e solli këtu ku e kemi sot.

Rugova shumë shpejt u shndërrua në prijës të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare në ish hapësirën e asaj krijese që quhej Jugosllavi e që fatmirësisht nuk ekziston më. Si asnjë personalitet tjetër, i veshur me titullin e një Presidenti të zgjedhur, Rugova njëjtësoi fatin e tij, me fatin e popullit që i përkiste, qoftë para luftës, gjatë saj, po edhe pas çlirimit të Kosovës.
Me një urtësi të pashembullt intelektuale e politike, që deri atë kohë nuk e kish parë bota në gadishullin e Ballkanit, Ai u angazhua që përmes një politike të padhunshme, ta nxirrte nga kthetrat serbe popullin e tij, dhe ta kthente atj ku edhe e kishte vendin, në Familjen e vendeve euro – atlantike.
Ai e tha që në fillim, “shtëpia nuk mbahet pa miq”. Dhe i bëri për vete e për popullin e Kosovës, miqtë e hershëm të shqiptarëve, siç ishin amerikanët e gjermanët por, i përvetësoi edhe anglezët, italianët e francezët. Madje edhe disa nga shtetet për rreth, siç ishte Maqedonia e Greqia, e të mos flasim këtu për Shqipërinë, me të cilën I rivumë raportet dhe lidhjet tona të gjakut si pjesë e një kombi.
Kjo politikë e urtë e paqësore, përmes një lëvizjeje demokratike, e njohur tashmë si pjesë edhe e filozofisë politike rugoviane, jo vetëm që u përkrah e mori mbështetje të madhe ndërkombëtare por edhe e trasoi rrugën për të ardhur deri te çlirimi përfundimtar i Kosovës dhe krijimit të një shteti të ri në Evropë e botë, që sot njihet ndërkombëtarisht nga më se njëqind e më tepër vende.

Në planin e mbrendshëm, Rugova u tregua unifikues dhe tolerues e njeri I kompromiseve në të mire të vendit.
Në kulmin e përplasjeve më të mëdha të brendshme që i patëm gjatë viteve 1997 -1998, Ai, duke e parafrazuar një urti popullore, tha, “Shtëpia duhet mbajtur edhe me mashkuj të këqinj”, dhe i qëndroi besnik kësaj.
Ai që diti dhe mundi t’i tërheq në vizionin e tij edhe ata që ishin zhytur deri në fyt gjatë sistemit komunist. Po, bëri për të mirën e këtij vendi, i afroi dhe i zbuti edhe rivalët e përbetuar të tij nga radhët tona, madje duke bashkëpunuar me ta, po për t’mirën dhe zhvillimin e këtij vendi.
Në një nga mbledhjet e Këshillit të Përgjitshëm të partisë së cilës i printe, me 8 e 9 shtator 1999, ai u tha bashkëpartiakëve: “kshyrni, gjene një gjuhë afrie edhe me ata luftëtarë të cilët zbritën nga malet, sepse ata, ashtu si mundën e ditën, me nga një pushkë me tojë a pa tojë, ndejtën në mal dhe në Kosovë, derisa disa prej nesh rrinin në shtrat me gratë. Aty ku nuk mund të merreni vesh, grahni punës, përgatituni për zgjedhje, se zgjedhjet po vijnë dhe ne nuk mund t’i plotësojmë apetitet e Serbisë për një luftë civile në Kosovë”.

Kështu edhe ndodhi. Në zgjedhjet e para të lira të pasluftës, LDK-ja fitoi 19 komuna të Kosovës bashkë me shtatë qendrat më të mëdha të saj, po edhe në tri palë zgjedhje të tjera, afërsisht e ruajti këtë rezultat , sepse populli I besonte dhe në emrin e veprën e tij kish lidhë dhe fatin e tij.
Ai madje, në një fushatë zgjedhore dhe pikërsht në Gjilan, më 20 tetor 2002, bëri thirrje që krejt votat mos t’ia qesn LDK-së, por të lënë edhe për partitë tjera.
Kjo zemërgjerësi e Tij jo që nuk është përsëritur më por nga liderë të rinj po kthehet në gllabëri votash, “ o krejt, o prapë në zgjedhje”.

Në raport me fqinjët dhe me shtet europiane, Rugova ishte përherë i matur dhe i kujdesshëm, pa lëshuar asnjëherë pe ndaj kërkesës për pavarësi, sepse , po sipas Tij, “ kjo është zgjidhja më e mire për këtë pjesë të Baallkanit dhe për qëndrueshmërinë europiane”.
Ai insistonte për kufij të hapur, të respektuar dhe lëvizje të lira duke kërkuar vazhdimisht angazhim në përmbushjen e oblgimeve shtetërore drejt integrimeve europiane. Sepse Rugova , bashkimin e natyrshëm të shqiptarëve e shihte piëkrisht përmes këtyre integrimeve dhe e thoshte hapur: “Integrmet shqiptare, krahas integrimeve europiane”.
Kjo formulë rugoviane për integrime, sot e gjithë, është dhe mbetet formula e vetme e bashkimit të të gjithë shqptarëve, falë natyrës dhe gjeografisë së saj, së cilës do duhej qasur pa më shumë vonesa.

Presidenti Rugova mjerisht nuk e priti aktin e rishpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe njohjen e saj nga bashkësia ndërkombëtare, por e solli atë.
Deshi apo s’deshi dkush, Ai njihet dhe është BABA i këtij shteti, të tillë çfarë e kemi.
Populli e deshi dhe e pranoi që nga fillimi jo vetëm si prijës, president por edhe si një udhërrëfyes të vetin për secilën kohë. Fatmirësisht këtë po e bëjnë edhe ata që e kritikuan dikur apo dhe e etiketuan me fjalë e fyerje nga më të ultat , derisa dhe tentuan ta vrasin, por, “Zoti , si thoshte në raste të tilla, më shpëtoi edhe këtë herë”.
Rugova ishte në rend të parë më popullin po dhe me Zotin e Tij. Po, edhe populli ishte dhe vazhdon të jetë me të, madje përditë e më shumë, që kur ndërroi jetë e vend dhe sot pushon qetësisht në thellësitë e paqta dardane.


Pos mungesës së Tij fizike, trashëgimia e tij ntelektuale dhe atdhetare, vizioni për një Kosovë të re, të zhvilluar dhe të integruar në NATO, në BE dhe në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për neve dhe brezat që vijnë, janë pjesë dhe thesari më i çmuar që Ai e la, bashkë dhe me trashëgiminë politike e cila e ka vetëm një emër dhe i takon vetëm një embleme, Lidhjes Demokratike të Kosovës, që siç thoshte, “ është Lidhje e besës dhe shpresës për Kosovën “.
Këtë le ta dinë të gjithë, edhe ata që kanë venbdosur të rrijnë e ta mbajnë këtë shtëpi, duke e zhvilluar sipas trendeve të kohës dhe hapave të Tij, e edhe kushdo që del prej saj e provon t’i marr me vete këto thesare apo edhe t’I përvetësojë. E kanë të pamundur – meqë peshojnë rëndë dhe nuk mund të barten gjetkë.
Kjo trashëgimi rugoviane është themeli i kësaj Kosove, të cilën e kanë veshur me mure dhe i kanë vënë kulm, gjithë ata bij e bija që u flijuan dhe sollën lirinë.

Zhegër/ Gjilan, 21 Janar 2021

You Might Also Like