Libri

IMAZHI ARTISTIK NË TRAJTË SILUETASH

Sherafedin KADRIU

IMAZHI ARTISTIK NË TRAJTË SILUETASH

(Meditim për përmbledhjen poetike “DUKE KËRKUAR HIJEN TËNDE” të poetit Nexhat Rexha, botuar nga Shtëpia Botuese Beqir Musliu, 2019).

Nexhat Rexha është nga ata poetë që nuk e ndryshon unin poetik, e as nuk ka nevojë ta ndryshojë, sepse në poezinë e tij marrëdhëniet ndërmjet fjalëve janë jashtëzakonisht të theksuara (sipas R. Velek e O. Voren). Duke i grishur domethëniet e fjalëve të reja, fjalët e poezisë së Nexhatit, materializojnë sisteme të kurorëzuara estetike, të cilat gëlojnë për dashurinë ndaj atdheut të lirë, për bukuritë e tij natyrore, për hershmërinë e tokës Arbërore, ku duhet gjurmuar rrënja jonë, pse e ka nxjerrë në dritë nga gollet e errëta, tej antikitetit, atje ku themele ilire ruan gjaku i derdhur për liri. Paksa romantik ky rikthim në Ilirinë e moçme dhe Arbërinë mesjetare, po si ndryshe ta përballësh të sotmen, nganjëherë të hidhur me vetveten! Nuk është as koncept filozofik, e as trajtim eseistik, po një dell artistik që zhgënjimin e poetizon metaforikisht, duke bërë përpjekje t’ia kthejë buzëqeshjen Atdheut në ciklin e parë të këtij vëllimi poetik. Atij Atdheu që i është mbushur vragë e mrrola fytyra, pak vite pasi i pati buzëqeshur e ëmbla liri. Në këtë kontekst, duket se poezitë janë të menduara intelektualisht, sepse poeti nuk ka baltëzuar nga pozita kampesh për tërë ato fenomene negative të trashëzuara në shoqërinë e pasluftës.
Vështruar hollë e hollë, në atë botën e përjetësisë shpërfaqen imazhe në trajtë siluetash a pamje skeletesh të shpirtëzuara, disi si ikona të së keqes që nuk zhdavariten nga sytë, duke u zgërdheshur si kalorësit e mesjetës së vonë të përballur me pasqyra metropolesh, të cilat reflektojnë tone ngjyrash të hijëzuara me të hirtën.
Kështu e ndërton poeti jo zhgënjimin, po imazhin e zhgënjimit, që si i tillë sa është metaforik, po aq është ironik e injorues njëkohësisht. Nganjëherë merr trajtë të një dashurie inatçore, që do t’i falë buzëqeshjen pasojës pa e nëpërkëmbur të nxehtin e diellit dimëror. Kjo mënyrë e strukturimit semantik e poetik, është manifestim impresionist (jo poezi impresioniste) që nuk i lë vend idealizmit të tepruar, e as romantikës së shpronësuar …
Poezitë e këtij vëllimi kanë diçka të tej dyzuar në qasje tematike e semantike, edhe si mbarështim. Herë vijnë si lirikë e shqetësuar, e herë tjetër si varg i dramatizuar, i thyer qëllimshëm në mes, për ta përmbyllur kuptimin e vargut prijës. Pastaj, e pa thëna qartë qëllimisht, vjen e kapur fort në faqet e librit të lirisë dhe dashurisë njëkohësisht, sendërtuar nëpërmjet gjuhës poetike.

Në zemrën e pa gjumë
Buzët i shkrije në ngutjen
E pritjeve në oazë
I thurrje himne dashurisë
Derisa fletët shkundën frytin
E kësaj stine eufori
( Anatemë )

Autori ka një përvojë të gjatë në fushën e krijimtarisë letrare, që bie në sy menjëherë për kujdesin që ka ndaj figurës, po patjetër edhe ndaj gjuhës. Dhe, që të mos bie pre e kontrastit të paqëndrueshëm, ai këngëton ide qe manifestohen me gjuhën e artit, jo me atë gjuhen që të vë në pozitat e kopjimit të bisedave të rastit, ani pse në shikim të parë, copëzat e bisedave të tilla mund të tingëllojnë si gjuhë arti, çfarë na bie të lexojmë shpesh në krijimet kërpudha pas shiut, që është një nga shkaqet pse nuk lexohet sot poezia si dikur, edhe perpos sa e sa shkaqeve tjera që mund të numërohen pa më të voglin problem.

Damarët e trupit tim shkapërderdhen
Nëpër stacionet e pritjeve
Deri në muzgun mozaik
Atje ku dhembjet plasin kujën
Dhe ne shikohemi sy më sy
( Dera prej druri )

E tmerrshmja nuk lindi sot. Ajo ka udhëtuar që nga prehistoria për t’i ndarë shekujt. As sot nuk i lidhë dot në përgjumje. Ves i keq! Shume i keq! Gjithçka duam ta nisim me veten tonë në njëjës a në shumës qoftë. Nuk është kjo një ide e largët që vjen e zë vend në poezinë e Nexhatit, nuk është një temë që ka pushuar, e autori e sjell për shëmbëllim, nuk është motiv i thirrur në tejqyrë, është përsëritje që vlon si në flakë Janarësh, kur secili do të ngrohë veten e tij, se pakëz mendojnë për tëhuajsimin.
Vepra ka tre cikle: Si t’ia kthej atdheut buzëqeshjen, Mbi qepalla të atdheut dhe Në gërshetin e kësaj vjeshte.
Vetë cikli i parë Si t’ia kthej atdheut buzëqeshjen, është pyetje retorike që të rrënqeth. Dje u fitua liria, vetëm pas 2000 vitesh (kujto këtu Mbertërinë Dardane shek. IV-I p.e.s.) dhe në vend se t’i këndohej zhvillimit e gëzimit, poeti ka strukturuar buzëqeshjen e munguar! Dhe nuk është i vetmi. Vështirë të takosh ndonjë poet të sprovuar që sot shkruan për atdheun, e të mos ketë për temë zhgënjimin. E kush na zhgënjeu, e pse na zhgënjeu e thotë semantika e strukturuar artistikisht në poezinë e Nexhatit.
Liria në dimër
Bën gjumë ariu
Çlirimtarët e atdheut
Krismat keq i ngatërruan
( Liria në gjumë )
Po ndonjëherë, lehtas, fare lehtas, si puna e mizës pas veshit, poeti nguc keq:
Kush dredhon ditën
Natën terr kërkon
Atdheun sa keq
Ai e mashtron
( Froni )
Zhgënjimin e shoqëron edhe inati, pse:
Pushtuesit
Buza në gaz i shkon
Për marritë tona
( Shkel e shko )
Atdheu i Nexhatit nuk është vetëm pjesa e liruar sot. Në radhë të parë është Arbëria e moçme. Janë të gjitha pjesët e mbetura me sy nga liria. Është Çamëria, Fletë e rënë në stinë dhembjesh\ Fryt i ruajtur në loçkë të zemrës, – siç e himnizon poeti. Është atdheu mëmë, që nuk po arnohet, ani pse pergamena ruan\rrënjët në thellësi (Kohë e arnuar). Prandaj, janë përsëritjet në situata të reja, të cilat sjellin tema të mëdha. E si te mos i krijonte dy-tre vargje për vijën e këputur nëpër rrugët pa kufij teksa sodiste herë rrymimet në thellësi, e herë qetësinë e sipërfaqes së detit Jon-Adriatik (Përsëritje e verbuese).
Gjithçka ndodh në kohën e harlisur, që ka mbetur pa ngjyrën e trokitjeve, ajo simfoni e humbur në një pikturë (Simfoni e humbur). Poezia Pak elegji është strukturuar tamam si një elegji e mirëfilltë për Arbërinë e plotë, por me rrudha shumë që nuk ka humbur asgjë nga bukuritë e padukshme, thotë poeti. Vetë elegjinë e ka mësuar nga atdheu, dhe do ta këndojë sot e nesër pa pushim që të mos vdes fjala e babës.
Në të këtillë gjendjeje, poeti di të namë të gjithë ata që i vunë atdheut kurorën mashtruese, e hëngrën dhe po e hanë shumë herë, kurse idealin tonë po ia hedhin fytyrës. Dhe shpërthen: Ruajuni mallkimit të ëndrrës feniks.
Pasi ka parë e ka ndjerë, ka formësuar bindjen se diku duhet të jetë një ilaç që shëron të keqen, e kërkon: Është fleta e bimës Arbërore që se ku ka tretur, se ku është fshehur, pa të cilën kot gjurmojmë rrënjën e dhimbjeve të gjata në histori (Kthim në vargun tim).
Po kështu nuk mund të mbetet në erë e të tundet mesazhi si leckë e shqyer. Aty është poeti. I ndjeshëm, jo profet, por profetizues, jo i bazuar në perceptime, por në vëzhgime:

Si fletët e vjeshtës
Që bien në përqafim
Ngadalë zgjohen shikimet
Nga gjumi i mashtrimit
Cikli i dytë Mbi qepalla të atdheut përfshin poezitë përkushtuese për heronjtë e periudhave të ndryshme historike. Janë edhe poezitë përkushtuese për shkrimtarë të ndryshëm që autori i ka për zemër. Përpjekjet e autorit për të vënë në pah karakteristikat shquese të secilës figurë janë ato që e shquajnë ciklin si të tillë. Është e vërtetë që poezitë përkushtuese janë të vështira për t’u veshur me art, ndoshta pse vetë bëmat e heronjve kanë tejkaluar edhe artin, e poetët u kanë paraprirë. Nuk di të thotë njeriu, nëse në liri pushon arti, apo nis më fuqishëm. Në mos tjetër, e mira është se çdo poezi për të rënët është një përmendore që nxit kthim koke prapa, për të mos harruar, se thonë që harresa fsheh përsëritjen.
Cikli i tretë Në gërshetin e kësaj vjeshte për motiv ka dashurinë. Poezitë janë strukturuar me një ritëm elastik, varg lirik, ndjenjë që përkujton më parë se vepron.

Sa herë lulet e kuqe
I kam këputur për Ty
Me shikimet kah qielli
Dhe ardhjen e frikshme
( Në kapërcim largësish )
Natyrshëm që flet mosha e poetit. Meraku njëmend e djeg edhe Stambollin, prandaj:

Kujtesa
Ujëvarë në qepallë
Pranverë dëshirash thurë.
( Pranverë dëshirash )

Krejt në fund do të thoshim se qasja jonë ndaj këtij vëllimi poetik ka pasur për qëllim të vë në pah qëllimin estetik të mjegullisë së ndryshimeve ose të paqartësisë, pa një qëndrim të paracaktuar teorik, jo si një vështrim i sforcuar, por si një meditim për poezinë e këtij poeti, për të sjellë para lexuesit një komunikim intensiv me veprën “Duke kërkuar hijen tënde”.

You Might Also Like