Gjilan

Ismajli kërkon angazhim maksimal të të gjithëve për ta ulur infeksionin në pikën zero

 

Gjilan, 24 gusht 2020 – Komiteti i Emergjencave në Gjilan, në mbledhjen e rregullt të mbajtur sot, ka konfirmuar se nga 40 mostrat e marra mbrëmë rreth orës 19:00, kemi 13 raste pozitive, 11 negative dhe 26 prej tyre janë në pritje të punimit, ku rezltatet do të publikohen gjatë ditës së nesërme.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli ka kërkuar angazhimin maksimal të të gjitha institucioneve në Komunën e Gjilanit, në mënyrë që rastet me Covid-19 të shkojnë drejtë pikës zero.

Duke iu referuar mostrave që janë marrë mbrëmë, kryesisht në personelin shëndetësor në Spitalin e Përgjithshëm, nënkryetari Ismajli ka bërë thirrje tek të gjithë qytetarët, punëtorët e shtetit etj., që të kenë kujdesin maksimal në respektimin e rekomandimeve të institucioneve të shtetit për përdorimin e masave mbrojtëse dhe distancës sociale.

“Përdorimi i masave mbrojtëse është tashmë përditshmëri e jetës sonë. Kjo është për qëllimin më të mirë, për shëndetin tonë, të familjeve tona dhe shëndetin publik në përgjithësi. Gjendja bazuar edhe në institucionet shëndetësore, por edhe në ato të sigurisë është e qetë dhe nën kontrollë”, ka thënë, mes tjerash, nënkryetari Ismajli.

Në bazë të statistikave për gjithë përballjen me pandeminë globale, Komuna e Gjilanit ka të regjistruar gjithsej 773 raste pozitive, prej tyre 564 janë shëruar plotësisht, 178 janë raste aktive dhe 31 qytetarë kanë humbur betejën me Covid-19. Të hospitalizuar janë 57 raste që janë nën kujdesin e stafit mjekësor.​

You Might Also Like