Gjilan

Ja kandidatët për kryetar të Gjilanit

Pesë kandidatura janë konfirmuar për kryetar të Gjilanit, duke e bërë garën tejet interesante. Lutfi Haziri, kryetar aktual i Gjilanit dhe kryetar i degës së LDK-së, Zenun Pajaziti, deputet në Kuvendin e Kosovës dhe kryetar i degës së PDK-së, Sami Kurteshi, deputet i Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, Rexhep Kadriu, nënkryetar i komunës së Gjilanit dhe kryetar i degës së AAK-së, sikurse edhe Anila Tusha – Kastrati nga Nisma janë kandidatë të konfirmuar për kryetar të Gjilanit.

Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit, duke qenë kandidat i LDK-së mëton mandatin e katërt për kryetar të Gjilanit. Lutfi Haziri, menjëherë pas luftës, në zgjedhjet e para ishte zgjedhur kryetar i Gjilanit, më pas ai sërish ishte zgjedhur kryetar, por e kishte lënë mandatin në gjysmë, ngase ishte zgjedhur në pozita të larta në qeveri, zëvendëskryeministër, ministër e deputetë, kurse pas dy palë zgjedhjesh lokale që LDK i kishte humbur nga PDK-ja, Lutfi Haziri u rikthye sërish në Gjilan, duke fituar bindshëm garën për kryetar dhe pas një mandati të plotë katërvjeçar, ai tashti  synon që edhe njëherë të zgjidhet në postin më të lartë në komunë.

 

Zenun Pajaziti, kandidat i PDK-së për herë të parë kandidon për të parin e komunës. Pajaziti, i cili ka ushtruar pozita të larta në qeveri, duke qenë ministër në disa dikastere, sikurse që ishte edhe deputet dhe shef i grupit të deputetëve të PDK-së, tashti kur PDK nuk doli mirë në zgjedhjet e fundit, është rikthyer në degë dhe synon që të fitojë garën për të parin e Gjilanit.

 

 

 

Emër i ri në garën për kryetar të Gjilanit, por jo edhe në politikë është Sami Kurteshi, i cili është nominuar nga qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan. Sami Kurteshi, i cili njihet si njeri që kaherë është  marrë me veprimtari kombëtare, duke qenë jurist me profesion kishte marrë besimin që të jetë  avokat i popullit, ku kishte përfunduar mandatin dhe ishte bashkangjitur Vetëvendosjes dhe që në garën e parë për deputetë ia doli që të zgjidhet në këtë legjislaturë. Duke e parë popullaritetin e tij, Vetëvendosje e ka kandiduar për kryetar të Gjilanit.

Rexhep Kadriu, nënkryetar i tashëm i komunës dhe kryetar i degës së AAK-së, në zgjedhjet e kaluara komunale, ku kishte konkurruar për t’u bërë kryetar, bëri një fushatë më ndryshe se rivalët e tjerë dhe kjo i kishte sjellë rezultat subjektit të AAK-së, që kishte rritur numrin e votave. Kadriu kishte arritur marrëveshje me LDK-në dhe është zgjedhur nënkryetar i Gjilanit e tashti  sërish është kandiduar nga AAK-ja për kryetar të Gjilanit.

Anila Tusha – Kastrati është e vetmja kandidate femër për kryetare të Gjilanit.  Ajo duke qenë në pozita të larta në parti në kuadër të Forumit të Gruas ka marrë besimin që të kandidohet për kryetare të Gjilanit, që është një përvojë e re për të.

You Might Also Like