Gjilan

Ja kush mori më shumë vota në Gjilan, Vjosa Osmani apo Glauk Konjufca

Ish-kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministre, e cila kryesoi listën e kandidatëve të LVV-së për deputetë në këto zgjedhje – ndonëse formalisht mbajti numrin dy – ka fituar 7 mijë e 656 vota Gjilan, një bastion i kahershëm i LDK-së.

Ky rezultat është vetëm për 42 vendvotime nga 118 sa janë në Gjilan, bazuar në formularët e rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit, të publikuara deri tani në uebsajtin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Osmani kryeson listën e më të votuarve të Vetëvendosjes në Gjilan, me rreth 3 mijë e 361 vota më shumë sesa numri tre në listë, Glauk Konjufca, shkruan Gazeta Insajderi.

Konjufca ka arritur t’i sigurojë kandidaturës së tij për deputet, 4295 vota sipas 42 vendvotimeve të publikuara deri në këto momente nga KQZ-ja.

Gjilani në zgjedhjet e së dielës e nxori Lëvizjen Vetëvendosje parti të parë në këtë pjesë të vendit, me 63.24%, LDK-në të dytën me 16.03, dhe PDK-në me 12.22.

Ndërsa në nivel vendi, sipas të dhënave preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 14 shkurt 2021, Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti, fitoi rreth 48 për qind, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 17.35 për qind.

E treta është radhitur Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.18 për qind dhe në vendin e katërt është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.42 për qind./Gazeta Insajderi/

You Might Also Like