Arti pamor

Jeton Rexhepi artisti që ka bërë emër në botën e artit pamor

Ai është autor i dhjeta ekspozitave personale, shumë të tjera i ka mbajtur me artistë pamorë nga e mbarë bota, kurse është laureat i shumë çmimeve me karakter vendor, mbarëkombëtarë e ndërkombëtarë.

Jeton Rexhepi, artist pamor, me pikturat e tija ka bërë emër jo vetëm në vendin tonë, por edhe kudo nëpër botë. Për krijimtarinë e tij artistike, është folur shumë nga kritikët e artit, të cilët e kanë çmuar lart krijimtarinë e Jetonit.

I lindur në Gjilan, qysh i ri Jeton Rexhepi kishte treguar talent, duke jetuar në një rreth artistësh, ngase edhe i vëllai Ariani është piktor.  Jeton Rexhepi regjistroi Fakultetin e Arteve, në degën e grafikës, të cilin e përfundoi me sukses e më pas përfundoi edhe studimet pasuniversitare në grafikë, për të vazhduar më pas që dijen e tij ta shpërndajë te gjeneratat e reja, duke qenë mësimdhënës  në shkollimin fillor e më pas edhe në atë të mesëm, kurse tashti është në përfundim të studimeve të doktoratës në Tiranë.

Punimet e Jeton Rexhepit janë vlerësuar kudo nëpër botë, ngase ai ka mbajtur ekspozita kolektive jashtë vendit në Francë, Gjermani, Maqedoni, Zvicër, Itali, Serbi, Austri, Bullgari e në vende të tjera, derisa pati edhe ekspozita personale kudo nëpër Kosovë dhe është fitues i disa shpërblimeve, medaljeve e mirënjohjeve brenda dhe jashtë vendit.

Në galerinë e tij në Gjilan mund të shihen shumë piktura të formateve të ndryshme dhe me kolorite të ndryshme, të cilat joshin artdashësit.

You Might Also Like