Gjilan

Kadri Veseli: “Gjilanin dhe Anamoravën, do ta zhbllokojmë duke e vënë në prioritet të qeverisë së “Fillimit të ri”

Në iftarin e shtruar me strukturat e degës dhe të nëndegëve të PDK në Gjilan, të cilin e madhështoi prania e bashkëshortes së heroit të Kosovës, Agim Ramadani, znj, Shukrije Ramadani, kryetari i PDK-së z. Kadri Veseli, duke shpalosur pjesë të platformës politike zgjedhore të “FILLIMIRI”, dha fjalën, se “Gjilanin dhe Anamoravën, do ta zhbllokojmë nga izolimi duke e vënë në prioritet të qeverisë së “Fillimit të ri”, duke vazhduar :“Po vjen epoka e zhvillimit të fuqishëm për Gjilanin, Anamoravën e Kosovën në përgjithësi”.

Duke iu referuar kësaj mbrëmjeje, me shkas – Iftarit të shtruar, z.Veseli potencoi: “Kosova do të prosperoj fuqishëm me ata që besojnë pashkëputshëm në Zot dhe në Kosovën properëndimore. “Kosova nuk mund të përparojë me një koncept të vjetëruar, që nuk merr vendime, siç është LDK, e cila nuk ka guxim, nuk ka vizion…! Për herë të parë në histori, jemi drejtuar mbarë. Prandaj, ashtu siç është i shenjtë, për ju agjëruesit, ky muaj i agjërimit, po ashtu është i shenjtë partneriteti ynë me SHBA dhe Europën perëndimore. Koalicioni me AAK dhe NISMA, është ekip i lirisë, nuk është kundër askujt. Prandaj nuk mund të na ndaj askush. Serbia, nuk është se nuk e kishte provuar, por nuk ia doli. Edhe pas fitores, nuk do të bëhem rob i kolltukut as i zyres përderisa qytetari ynë është me plagë dhe me plot halle, ka thënë z.Veseli.

Ne do të jemi në shërbim të plotë të qytetarëve tanë. Do t’i kushtojmë rëndësi të veqantë bujqësisë, do të ndërtojmë infrastrukturën e nevojshme për t’i hapur rrugë industrializimit të vendit tonë. Për rinjët tanë, që për fat të keq me shumicë janë të papunë, do të përkujdesemi për orientimin e tyre profesional, në mënyrë që ata të jenë jo vetëm të gatshëm, por të jenë edhe të aftë e të përgatitur për tregun e punës, ka thënë Veseli.

Ai u ka bërë thirrje të pranishmëve, që fuqishëm dhe pa asnjë dilemë, të mbështesin për deputet kandidatët e dëshmuar të PDK-së së Gjilanit, z.Zenun Pajaziti e znj.Leonora Bunjaku.

Ndërkaq, Zenun Pajaziti, kryetar i Degës së PDK-së në Gjilan dhe tashmë kandidat për deputet, ka falënderuar z. Veseli për mbështetjen e tij që po i bënë Gjilanit e Anamoravës, ka falënderuar të gjithë të pranishmit për kontributin e tyre për PDK-në. – Fitorja e padiskutueshme e “Fillimit të ri” është fitore e të ardhmes së Kosovës, ka theksuar z.Pajaziti.

Edhe kandidatja për deputete znj. Leonora Bunjaku, ka shprehur mirënjohjen e saj për angazhimin e pashoq të strukturave dhe aktivistëve të PDK-së, në mbështetje të fitores së madhe të “Fillimit të ri”.

You Might Also Like