Sportet me dorë

Kadrije Tosuni, dikur lojtare e gjeneratës së artë të KV Drita, tash gjyqtare ndërkombëtare e paraglidingut dhe e shahut

Ekipi më i trofeshëm në sportin gjilanas mbetet ekipi i volejbollit ndër femra Drita, kampion i pakontestueshëm i Kosovës dhe fitues i njëpasnjëshëm i kupës për vite të tëra radhazi.

Veprimtaria e vashave në volejbollin e Gjilanit nis më 1982 në Shkollën Fillore “Selami Hallaçi”, kur pedagogët Hajrush Fazliu, Hafiz Gashi e Shaban Kastrati bënë përzgjedhjen e talenteve të reja, të cilat më pas u bënë pjesë e ekipit “Taftisoni”, kurse brenda një periudhe të shkurtër, ky ekip la gjurmë të pashlyeshme në volejbollin femëror, duke u radhitur ndër ekipet më të mira, pikërisht atëherë kur u pagëzua me emrin “Drita”.

Një vajzë e re, atëbotë nxënëse e shkollës fillore i ishte bashkëngjitur ekipit të femrave në volejbollin gjilanas. Ishte kjo trembëdhjetëvjeçarja Kadrije Tosuni, e cila bashkë me bashklojtaret e saja Makfire Brestovci, Feime Shala e volejbolliste të tjera do të bënte emër në volejbollin Kosovar. Ajo vazhdoi të luaj në rolin e pasueses edhe në kohën kur sporti Kosovar ishte i izoluar, deri në vitin 1997, duke qenë disa herë kampione e Kosovës dhe fituese e kupës dhe për të trasuar rrugën për lojtaret e reja që do të vazhdonin me sukseset e dikurshme. Ajo për një kohë kishte qenë edhe sekretare e klubit deri në kohën kur edhe në Kosovë erdhi liria. Pa dyshim se Kadrije Tosuni kishte dhënë kontributin më të madh në sportin Kosovar atëherë kur ishte më së vështiri.

Ajo sportin gjithnjë e kishte në zemër dhe edhe pas luftës vazhdoi të jap kontributin e saj.Tash përpos punës në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ajo është gjyqtare ndërkombëtare në Paragliding (Aeronautikë) edhe atë që nga viti 2017, ku gjatë Kampionatit Botëror të mbajtur në Vlorë në maj të vitit 2017 është licencuar dhe ishte gjyqtare gjatë këtij kampionati.

Ajo është gjyqtare edhe në një sport tjetër, në shah, ku ka filluar që nga viti 2018 dhe tashti është mëtuese për refere ndërkombëtare të FIDE (Federatës Ndërkombëtare të Shahut), duke dëshmuar kështu se ajo është një sportiste e gjithanshme.

You Might Also Like