Futboll

Kampioni sërish rrëshqiti

Drita ka pësuar edhe njëherë, duke dëshmuar formën e luhatshme në këtë kampionat. Kësaj radhe gjilanasit janë mposhtur në Podujevë në ballafaqim me Llapin, me rezultat 1:0.

Se Llapi do të synojë fitoren është bërë e ditur që nga fillimi i ndeshjes. Që në minutën e dytë Bujar Idrizi (Llap) harkoi bukur, kurse  Ardian Limani që në tentim për të larguar topin, për pak sa nuk ka qëlluar portën e tij. Mentor Zhdrella në minutën 13 provoi gjuajtjen e tij, por gjuajti jashtë portës. Pozharanasi Festim Alidema në minutën 32 pati një rast të mirë, por Fidan Gërbeshi ia doli që të evitojë rrezikun për portën e tij. i njëjti lojtar nuk ia doli të gjuajë me kokë pas një harkimi të bukur e një minutë më pas Fidan Hajdari gjuajti nga largësia.

Drita rastin e parë e pati në minutën 39, kur Krasniqi i iku mbrojtjes së Llapit, por gjuajtjen e tij e ndali portieri Ademi. Në minutën 41 Bakaj ia mohoi golin Hajdarit, por jo edhe Festim Alidemës, i cili në minutën 44 gjuajti përtokë dhe solli në epërsi ekipin e tij.

Drita më me ngulm kërkoi golin në pjesën e dytë  dhe i pari tentoi Krasniqi, që gjuajti me kokë pas harkimit të Livorekës, por topi shkoi jashtë portës. Jashtë portës gjuajti edhe Kukaj në minutën 55, kurse rezultatin për pak sa nuk e dyfishoi Alidema, që gjuajti dobët nga një pozitë ideale.

Në minutën 60 Drita kërkoi penalti, me motivacion se një lojtar i Llapit luajti me dorë brenda zonës. Edhe Llapi shpërdoroi një rast në minutën 62, kurse deri në fund Drita u mundua që së paku t’a barazojë rezultatin, por një gjë të tillë nuk e arriti, andaj vendosi goli i Alidemajt Llapi – Drita 1:0.

You Might Also Like