SPORTI

Këtë fundjavë nuk ka sport, lejohen vetëm ndeshjet ndërkombëtare

Pas një vendimi jo shumë të qartë të Qeverisë së Kosovës lidhur me aktivitetet sportive, Federata e Futbollit të Kosovës njoftoi që  nuk do të ketë ndeshje të futbollit në fundjavë në vend. Sipas njoftimit të FFK-së, ndeshjet janë shtyrë për mesjavën e ardhshme.

“FFK-ja njofton opinionin dhe klubet anëtare të saj se të gjitha ndeshjet e parapara për t’u zhvilluar këtë fundjavë janë shtyrë për mesjavë. Në fakt me vendimin e ri të Qeverisë, aktivitetet e futbollit nuk janë ndërprerë, por FFK-ja e ka vlerësuar si të nevojshme shtyrjen e ndeshjeve të kësaj fundjave, duke pasur parasysh karantinimin e shtatë qyteteve për fundjavë si masë për menaxhimin më të mirë të situatës me COVID-19 dhe me qëllim të lehtësimit të gjërave për klubet dhe zyrtarët e ndeshjeve, të cilët do të mund të hasnin në pengesa gjatë udhëtimit për ndeshje në qytete të karantinuara. Garat do të vazhdojnë në mesjavën e ardhshme për çka klubet do të njoftohen me kohë nga komisionet përkatëse për orarin e ri të ndeshjeve”, thuhet në njoftim.

Shtyrja e ndeshjeve të futbollit dhe pezullimi i aktiviteteve në sportet e tjera vjen si rrjedhojë e keqësimit të gjendjes me koronavirus në vend. Shifrat e të infektuarve po rriten shumë shpejt dhe Qeveria e Kosovës të premten vendosi të ndalojë veprimtarinë në shumë fusha prej të premtes (20:00) e deri të hënën në pesë të mëngjesit. Po ashtu Qeveria ka pezulluar disa paragrafë të një vendimi të 1 nëntorit, e ku përfshihet edhe sporti. Më pas Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që të karantinojë shtatë qytete për fundjavë.

Pika 12 e vendimit të 1 nëntorit thotë: “Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura, stërvitjet dhe garat mund të organizohen në sportet individuale; në hapësirat e mbyllura, gjatë stërvitjes mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa në organizimin e garave mund të marrin pjesë deri ne 50 persona, bazuar në protokolle dhe udhëzime vendore dhe ndërkombëtare sportive, të bazuar në Manualin për mbrojte nga përhapja e COVID -19. Matja e temperaturës është e detyrueshme gjatë hyrjeve në objekte të mbyllura sportive si dhe në hapësirat e hapura sportive”.

Ndonëse është pezulluar kjo pikë, nuk është qartësuar mirë nëse janë pezulluar edhe aktivitetet në hapësira të hapura, pra futbolli.

Ibër Alaj, ushtrues i detyrës së sekretarit në MKRS, ka thënë fillimisht se aktivitetet në palestra pezullohen e jo edhe futbollit. Më pas Alaj ka bërë një publikim në Facebook, ku ka lënë të kuptohet se edhe futbolli është i pezulluar.

“Sqarim për pezullimin e pikës 12. Ndalon aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura, përveç aktiviteteve ndërkombëtare të cilat janë në fazën kualifikuese për Kombëtaret e Kosovës e që luhen në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Alaj.

Shkrimi i tij lë të kuptohet se në fundjavë do të ketë vetëm aktivitete ndërkombëtare në vend. Në fakt do të luhet ndeshja e hendbollit në mes të Kosovës dhe Suedisë, të dielën nga ora 17:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Është ndeshje e vlefshme për fazën e dytë kualifikuese për “Euro 2022”.

Federata e Hendbollit e Kosovës ka shkruar se kjo ndeshje do të luhet dhe se aktivitetet tjera të hendbollit pezullohen. Sipas FHK-së, përgatitjet për ndeshjen me Suedinë kanë nisur shumë më herët dhe pasojat për hendbollin kosovar do të ishin shumë të mëdha nëse ndeshja nuk do të zhvillohej.

Aktivitetet e fundjavës i kanë pezulluar edhe Federata e Basketbollit të Kosovës e po ashtu Federata e Volejbollit e Kosovës.

“FBK-ja njofton të gjitha klubet anëtare të saj se bazuar në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, prej të premtes e deri të dielën nuk do të zhvillohen ndeshjet e basketbollit të parapara me kalendar të garave”, njofton FBK-ja.

“Të gjitha ndeshjet e volejbollit të planifikuara të zhvillohen në vikend, pezullohen. Për të gjitha informacionet e tjera, FVK-ja do t’ju informojë me kohë”, thuhet në njoftimin e FVK-së.

Ndeshja e hendbollit me Suedinë vlerësohet me shumë peshë për përfaqësuesen e Kosovës. Suedia është superfuqi e hendbollit dhe gjasat që Kosova të arrijë sukses nuk janë shumë të mëdha. Por te përfaqësuesja e Kosovës, që ka vazhduar të premten stërvitjet, kanë premtuar angazhim maksimal për të dhënë më të mirën e mundshme.

You Might Also Like