Futboll

KF Gjilani në udhëkryq

Pakënaqësitë që kishin nisur në përmbyllje të stinorit vjeshtor, po shfaqen edhe në këtë fillimvit. Xixat e para ishin shfaqur kur ishte paralajmëruar ardhja e gjermanëve në klubin bardh e kuq, kur një pjesë e kryesisë ishin për e tjetra kundër. Nga kjo kohë, ndonëse në heshtje, dallimet nisën të vërehen, kurse më pas një pjesë e kryesisë u tërhoq, derisa pjesa e tjetër e kryesisë ia doli që stinorin t’a qojë deri fund dhe dukej se dimri i gjatë në futbollin kosovar do të mund të shfrytëzohej që disi të përafroheshin qëndrimet në mes të dy palëve, miq të deridjeshëm, gjë e cila nuk ndodhi.

Tashti, kur të gjitha ekipet ia kanë filluar përgatitjet, një gjë të tillë e bënë edhe KF Gjilani, por këtë fundjavë, ishin “Skifterat”, tifozët më të flaktë të KF Gjilani, të cilat kërkonin që të gjendet zgjidhja, duke kërkuar dorëheqjen e kryesisë së tashme dhe mbajtjen e një Kuvendi të ri zgjedhor, dukë kërkuar që t’u lëshohet vend investitorëve të rinj, të cilët sipas tyre klubin do t’a bëjnë më të fuqishëm.

Ata kanë zgjedhur një mënyrë jo të zakontë në arritjen e qëllimit të tyre, duke qëndruar në Stadiumin e Qytetit, bile duke u future edhe veshtore, nga e cila paralajmëruan se nuk do të dilnin deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Pas gjitha këtyre zhvillimeve, Murat Hoxha, kryetar i klubit ka dalë me një deklaratë në të cilën thuhet:

“Të nderuar anëtarë të KF Gjilanit, donatorë, simpatizantë dhe ju “Skiftera”.

Fillimisht uroj dy futbollistët e KF Gjilanit, Faton Malokun, për përzgjedhjen e merituar, si portieri më i mirë i vitit , dhe Armend Thaçi një nga mbrojtësit më të mirë të futbollit të Superligës në Kosovë. Gjithsesi këta të dy futbollistë konfirmojnë angazhimin dhe punën ekipore të të gjithë futbollistëve dhe shtabit profesional të KF Gjilanit.

Sa i përket zhvillimeve të fundit kujtoj që veprimet e “Skifterave” kishin dhe kanë elemente të një presioni të vazhdueshëm, mbase edhe nga dëshira për stabilitet të fuqishëm të KF Gjilanit. Problem është së kujt po i drejtoni këtë presion, një pjese që për shkaqe mbase objektive nuk janë në mundësi të dhënies se kontributeve apo atyre që i tejkalojnë edhe mundësitë e veta, për të plotësuar detyrimin e deklaruar.
Ne jemi deklaruar dhe edhe tani deklarohemi se janë të mirëseardhur investitorë, çoftë vendorë apo ndërkombëtarë. Ne kemi kërkuar që ata të hartojnë një plan investiv dhe plan veprimi me një dinamikë të përcaktuar apo të planifikuar. Kemi ofruar edhe mundësinë e bashkëngjitjes së investitorëve të cilët varësisht prej mundësive të tyre investive do të marrin edhe rolin vendim-marrës në Klub. Kjo variant do të duhej të ishte më e pranueshmja edhe për faktin se dera është plotësisht e hapur ndaj investitorëve, por u mundësohet donatorëve të cilët kanë dhënë kontributet e tyre mbi 20 vjet, për të qenë pjesë e përkushtimit të tyre por edhe pjesë e ndjenjave që ata kanë për KF Gjilanin. Shprehja e juaj “politika larg sportit” është tani më, sterile dhe plagjiatë, ngase në KF Gjilan ka pasur politikan por kurrë politikë. Fundja nuk jam i sigurt se çka nënkuptoni me politikë, ata që vjedhin, ata që mbledhin votat tuaja, ata që ju rrejnë, asnjërën prej këtyre atributeve nuk është brenda KF Gjilanit, jashtë mund të jetë dhe gjithsesi është. Po ju o “Skiftera”, kujt po i kërkoni dorëheqjen, për kënd po kërkoni këtë dorëheqje. Ju nuk keni nevojë për këtë kërkesë, nëse nuk e keni për qëllim me “dalë në televizion!!!”. ”Forca financiare bën fuqinë”, ajo e ka derën e hapur, urdhëroni, mund të jeni që nesër në zyre të KF Gjilanit, nëse keni nevojë për ndonjë bisedë, ne jemi këtu, nëse jo mos bëni zhurma, si “uzurpuam ne, uzurpojeni edhe ju apo ata”, mos u bëni kumbarë të njerëzve fantazma. Bëni kumari investitorëve të cilët do të jenë në radhë të parë korrekt me ju dhe ligjorë me ne”.

Adhuruesit e Gjilanit “Skifterat” kërkesë kanë tërheqjen e të gjitha anëtarëve të kryesisë, duke theksuar se presin nga ata që nuk kanë kursyer asgjë nga vetja gjatë gjithë jetës për KF Gjilani, të jenë konstruktivë dhe në këtë situatë të ndihmojnë klubin në përmirësimin e gjendjes.

Pas gjithë këtyre zhvillimeve, Murat Hoxha, kryetar KF Gjilani ka dhënë dorëheqje, duke theksuar se dëshiron t’i hap rrugë proceseve të reja në klub. A do të vazhdojnë edhe dorëheqjet tjera…

 

You Might Also Like