Sportet me dorë

KH Drita sërish del e pamposhtur

Klubi i Hendbollit Drita nga Gjilani edhe nga Mitrovica është kthyer i pamposhtur, por kësaj radhe nuk ia ka dalë të fitojë, ngase ballafaqimi në mes të Trepçës vendase dhe Dritës mysafire është mbyllur me rezultat të barabartë 30:30. Kjo ndeshje është zhvilluar në kuadër të javës së dhjetë e në këtë kampionat Drita e Trepça janë takuar edhe në xhiron e parë, kur në Gjilan më i mirë kishte qenë ekipi gjilanas që ngadhënjeu me katër gola dallim.

Ekipi i Trepçës ishte më i mirë në pjesën e parë, të cilën e mbylli në dobi të vetin me rezultat 17:11, por në pjesën e dytë djelmoshat që drejtohen nga Erhan Shahini dhe Luan Sllamniku ishin më të mirë dhe për pak nuk e arritën fitoren.

Duhet cekur se me këtë barazim, Drita e ruan pozitën e dytë me 15 pikë të tubuara, derisa Trepça renditet në pozitën e katërt. Në javën e ardhshme, Drita do të ballafaqohet me Prishtinën dhe sërish do të jetë mysafire. Drita e pati mposhtur edhe Prishtinën në fushë të vet.

You Might Also Like