KRONIKË E ZEZË

Komandanti i zjarrfikësve në Kamenicë dënohet me 5 muaj burgim

Është dënuar me 5 muaj burgim, komandanti i Shërbimit të Zjarrfikësve në Kamenicë, Riza Bunjaku, pasi pranoi fajësinë për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Arben Ismajli, i akuzuari Bunjaku e pranoi fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë, duke shtuar se është penduar për veprimin e bërë.
Bunjaku kërkoi nga gjykata që ndaj tij të shqiptohet një dënim më i butë, marrë parasysh edhe faktin se asnjëherë më parë nuk ka qenë i dënuar për ndonjë vepër penale dhe se nuk ka dashur që me veprimin e tij ta dëmtojë buxhetin e shtetit.
Para deklarimit, i njëjti theksoi se nuk ka nevojë për të angazhuar ndonjë mbrojtës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurori Ismajli i propozoi gjykatës që me rastin e caktimit të dënimit të merren parasysh rrethanat lehtësuese si dhe ato rënduese, të cilat konsistojnë në arsimimin e personit të akuzuar, pozitën e lartë menaxheriale që i njëjti ka, rrezikshmërinë e veprës penale si dhe dëmin e shkaktuar të dëmtuarës.Pas kësaj, gjykatësi Agim Ademi ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit dhe ndaj tij ka shqiptuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 5 muajsh.
Atë e ka ngarkuar edhe me shpenzimet e procedurë.
Ndyshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, më 19 gusht 2020, ka përpiluar aktakuzë kundër të pandehurit Riza Bunjaku, me arsyetimin se i njëjti, më 18 qershor 2019, në fshatin Berivojcë, Komuna e Kamenicës, në pompën e derivateve “Borovci Oil”, si person zyrtar, në pozitën e Komandantit të Shërbimit të Zjarrfikësve, duke e shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe shkaktimit të dëmit të të dëmtuarës Shërbimit të Zjarrfikësve, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare.
Në aktin akuzues thuhet se, këtë e ka bërë në atë mënyrë që automjetin e tij personal të markës “BMW X3”, e ka mbushur me derivate në sasi prej 58 litra, në vlerë prej 64.96 euro, duke dhënë të dhëna të automjetit zyrtar të markës “Mercedes”, e duke i shkaktuar dëm material Shërbimit të Zjarrfikësve në Kamenicë në vlerë prej 64.96 euro.
Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës

You Might Also Like