Gjilan

Komiteti për Barazi Gjinore kërkon përfshirjen e Kuvendit në shënimin e ditëve të aktivizimit kundër dhunës në familje

Gjilan, 29 tetor 2019 / Komiteti për Barazi Gjinore (KBGJ) ka kërkuar sot nga Kuvendi Komunal i Gjilanit mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme, për t`u përfshirë si organ vendimmarrës në shënimin e ditëve të aktivizmit kundër dhunës në familje.

Ajtene Shahiqi, kryesuese e kësaj trupe komunale, tha se ideja është diskutuar me kryesuesen e Kuvendit, Shpresa Kurteshi-Emini dhe ajo është pajtuar që shënimi i kësaj ngjarje mbarëbotërore, në Gjilan të pasurohet edhe me një seancë të jashtëzakonshme të vendimmarrësve komunalë, ku do të diskutohet nevoja për ngritjen e vetëdijes kundër kësaj dukurie negative, e cila dëmton jo vetëm individin, por edhe familjen dhe shoqërinë në përgjithësi.

Gjylshen Berisha, anëtare e KBGJ, ka thënë se përmes vetëdijesimit të përgjithshëm, duke filluar nga shkollat, familja dhe shoqëria, duhet të ndryshohet koncepti mbi barazinë gjinore. Në këtë funksion do të jenë edhe rekomandimet që do të dalin nga kjo seancë e Kuvendit Komunal.

Denoncimi i rasteve, ku zakonisht viktima janë gratë, por nuk përjashtohet mundësia që viktima të jetë edhe një burrë ose një fëmijë, meqë dhuna nuk njeh gjini, është i domosdoshëm, ka thënë Berisha.

Linda Salihu, zyrtare për barazi gjinore, ka thënë se në këtë seancë të Kuvendit, do të paraqes raportin 9-mujor për rastet e dhunës në familje, ndërkohë që ditët e aktivizimit për eliminimin e dhunës ndaj grave do të jenë të përmbushura me aktivitete të ndryshme.

Njëherësh, KBGJ ka inkurajuar gratë që t`i paraqesin rastet e dhunës në familje, sikurse edhe rastet e dhunimit, të cilat kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë, siç bëri këto ditë Shyhrete Tahiri

Sylejmani dhe kanë përshëndetur nismën e kryetarit Lutfi Haziri për të nderuar atë me çmimin “Heroina e Qytetit”.

Sadete Trnava (OSBE) ka thënë se këto raste, fatkeqësisht, janë heshtur deri tani nga institucionet kosovare dhe shoqëria civile.

Në këtë temë kanë kontribuuar edhe anëtarë të tjerë të KBGJ.

You Might Also Like