Gjilan

KPF kërkon arsye shtesë për ndryshimin e emblemës si dhe propozimet për ndarjen e titujve të nderit

Gjilan, 21 janar / Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) ka mbajtur të hënën mbledhjen e parë për këtë vit, nën kryesimin e Shpresa Kurteshit-Eminit, ku pas një debati të gjerë rreth rendit të punës, ka vendosur që pesë nga pikat e propozuara t`i kthejë për plotësim me material shtesë, një pikë e ka votuar me kusht, ndërkaq tetë të tjera i ka rekomanduar për Kuvend Komunal.

Kësisoj, për shkak të mungesës së materialit shtesë si dhe arsyetimeve të nevojshme, KPF ka vendosur t`i rikthejë në procedurë nismën për ndryshimin e emblemës së Komunës, propozimet për shpalljen “Qytetar Nderi” të prof. dr. Hirakli Koqollari, përkatësisht shpalljen “Nderi i Qytetit” të Ekrem Rukovcit, Shemsedin Abazit, Shukri Sylejmanit e Selami Osmanit (pas vdekjes) sikurse edhe propozimin për emërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan “Agim Ramadani” si dhe propozimin për emërtimin e kompleksit universitar “Rexhep Mala e Nuhi Berisha”.

Ndërkaq, kërkesa e tetarit të qytetit për mbështetje financiare, është rekomanduar me kusht që ky institucion të dorëzojë një raport mbi shpenzimin e subvencioneve të mëhershme, para mbajtjes së seancës së Kuvendit Komunal.

Opozita (LVV e PDK) kanë këmbëngulë se propozimet për ndërrimin e emblemës, përkatësisht nderimin e personaliteteve të caktuara me tituj nderi, duhet të kalojnë përmes komisioneve përkatëse dhe në KPF të vijnë të shoqëruara me arsyetimet e nevojshme.

Sa i përket emblemës së Komunës, kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini ka thënë se kërkesa ka ardhur nga komuniteti artistik dhe ka hasur në mirëkuptim edhe tek autori i saj.

Kurse për Kuvend Komunal janë rekomanduar propozim vendimi për formimin e Komisionit për zgjedhjen e Këshillave lokalë si dhe përcaktimin e shumës së kompensimit për kryetarët e këtyre këshillave, propozim vendimi për lejimin e zgjerimit të varrezave në fshatin Ponesh, propozim vendimi për këmbimin e pronës së paluajtshme komunale me pronën e paluajtshme të pronarit Nazmi Starabaja, rekomandimi i Komitetit për Barazi Gjinore për vendosjen e monumentit të gruas në qendër të qytetit si dhe raportet e punës së Komiteteve komunale për vitin 2018, përkatësisht planet e punës për vitin 2019 të këtyre trupave komunale.

You Might Also Like