Gjilan

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri pret në takim përfaqësuesin e Fondit Humanitar për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur në një takim pune dhe koordinimi zëvendës kryetarin, Skënder Memishi, nga Fondi Humanitar për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, me të cilin janë koordinuar për aktivitetet e ardhshme në mbështetje të projekteve që janë në interest ë një jete më të mirë për shqiptarët e Kosovën Lindore.

Kryetari Haziri tha se gjendja në të cilën janë shqiptarët e Kosovës Lindore, është mjaftë e rëndë dhe në kuadër të angazhimeve do të bashkëpunojmë me këtë fondacion humanitar, në shërbim të një jete më të mirë për shqiptarët atje.
“Gjendja ekonomike dhe sociale është shumë e rëndë për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Është për tu përshendetur aktiviteti tashmë i dëshmuar i këtij fondacioni humanitar dhe i gjithë mërgatës shqiptare, të cilët gjithnjë ishin të vendosur në mbështetjen e bashkvendësve të tyre”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.
Ai ka kërkuar që bashkëpunimi të jetë edhe më i madh, “mbështetja e institucioneve lokale nga këto tri Komuna duhet të jetë edhe më intenzive dhe njëkohësisht edhe mbështetja e Gjilanit do të jetë në këtë rrafsh përmes formave të ndryshme, qoftë nga bizneset apo donatorët e tjerë”, ka thënë mes tjerash Haziri.
Skënder Memishi, zëvendës kryetar i fondit humanitar, ka bërë të ditur se ky fond deri më tani ka ndërtuar 57 shtëpi të reja, për familjet me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale.
“Deri më tani kemi ndërtuar 57 shtëpi të reja. Synimet e fondit humanitarë, përmes nismës “Ndërto, Shpëto, Parandalo”, synon që të ndërtoj edhe 100 shtëpi të reja në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Nëse nuk veprohet shpejtë, atëherë do të kemi braktisje të shtëpive për shkak të gjendjes së rëndë dhe mungesës së perspektivës”, ka thënë ai mes tjerash.
Ai gjithashtu e ka informuar kryetarin Haziri për burimet financiare, për mbështetjen që ka ardhur në vazhdimësi nga mërgata shqiptare dhe nga njerëz të vullnetit të mirë gjithandej.

You Might Also Like