KRONIKË E ZEZË

Kryetarit të Kllokotit 10 muaj burgim me kusht

Sreqko Spasiq, kryetar i Kllokotit është dënuar  me 10 muaj burgim me kusht për dy vite. Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall Aktgjykimin ndaj kryetarit të Komunës së Kllokotit, Sreqko Spasiq, duke e gjykuar me 10 (dhjetë) muaj burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse i akuzuari në afat prej 2 (dy) vjetëve nuk kryen vepër tjetër penale.

I akuzuari është shpallur fajtor, pasi që në cilësinë e kryetarit të Komunës së Kllokotit, ka tejkaluar autorizimet e tij në atë mënyrë që, me datë 3 shkurt 2014, ka nxjerrë aktvendimin me numër protokolli 4134/1, me të cilin pa ndonjë arsye ligjore e ka larguar të dëmtuarin Trajan Stojanoviq nga vendi i punës, përkatësisht nga pozita e drejtorit të Shkollës Fillore “Marko Rajkoviq” në fshatin Vërbovc, e i cili ka pasur mandat deri më 2 dhjetor 2015.

Po të njëjtën datë me 3 Shkurt 2014 ka nxjerrë edhe aktvendimin me numër protokolli 4133/1, të cilin pa ndonjë arsye ligjore e ka larguar dëmtuarin Bozhidar Dejanoviq nga vendi i punës, përkatësisht nga pozita e drejtorit të Shkollës Ekonomike – Teknike në fshatin Vërbovc, e i cili ka pasur mandat deri më 2 Dhjetor 2015.

Me këtë i akuzuari Sreqko Spasiq ka kryer veprën penale: keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Të dëmtuarit Trajan Stojanoviq dhe Bozhidar Dejanoviq, për realizimin e kërkesës pasurore juridike, udhëzohen në kontest civil.

Palët gëzojnë të drejtën e kontestimit të këtij Aktgjykimi në Gjykatën e Apelit.

 

You Might Also Like