Trashëgimi

Kulla e Januz Ahmet Lamallarit në Mjak të Vitisë

dini Shkruan: Sherafedin Kadriu, QRTK – Gjilan

 Në fshatin Mjak ekziston kulla e Januz Ahmet Lamallarit. Kulla është e vitit 1870, ndërsa është rinovuar tek në vitin 2014 nga mjeshtri Zylfi Nuhi Lamallari.

Kulla ka dy kate, përdhesin me një kthinë të tërë dhe katin me katër dhoma. Është ndërtuar kryesisht me gurë dhe llaç balte, si dhe me hatulla si element konstruktiv. Gjatë renovimit të kullës është përdorë material edhe i ri, si disa tulla të kuqe të përdorura më parë që marrin një kuptim  të spolieve. Gjithashtu është përdorur edhe çimentoja tashmë për lidhjen e gurëve të mureve, duke e përdorë edhe për suvatim dhe shtrim të dyshemesë mbi materialin e vjetër të drurit.

Çdo dru i përdorur gjatë renovimit është gati i vjetër, me atë ngjyrën shpeshherë të zezë marrë nga bloza e tymit.

Para renovimit përdhesi kishte dy kthina anash një korridori dhe dy hyrje përballë  po në korridor, ndërsa tani kthina e tillë është një e tërë vetëm me një derë nga ana lindore. Tavani i kthinës ka dy arkitrarë, secili prej të cilëve mbështetet në dy shtylla të forta që përfundojnë me ekinin. Edhe shtyllat tjera, kudo që janë përdorur, si nën çardak dhe ato që nga dyshemeja e çardakut përfundojnë në nënkulm, kryesisht kanë vetëm njërën pjesë të kapitelit, – ekinin.

Në murin verior të kthinës së përdhesit ka një oxhak, anash të cilit janë dy dollapë. Në murin perëndimor ka një dritare dhe një dollap, ndërsa në murin jugor ka dy dritare dhe një dollap. Është edhe një dritare që komunikon me fasadën. këto katër dritare që janë katërkëndëshe dhe jo të mëdha nuk është se e dritësojnë mirë kthinën. Dy frëngji të kullës tashmë kanë mbetur si nike të thella sepse mjeshtri i ka mbyllur nga jashtë. Dyshemeja e kthinës tani është e betonuar.

Kati i kullës i ka shkallët nga jashtë. Janë shkallë prej guri, gjithsej tri sosh sepse vendi ku është hyrja për në çardakun e kullës është më i lartë. Çardaku shtrihet në tërë fasadën e kullës. Është një çardak i hapur me një rrethojë prej druri, dërrasash që më shumë përngjajnë me çatmat.

Korridori i kullës ndodhet në mes të sipërfaqes së katit me një hapje pa derë. Anash korridorit janë nga dy dhoma simetrike, ndërsa vetë korridori përfundon me një banjo. Tavani i korridori është i hapur në një sipërfaqe me përmasa 1.60 x 1.10 m, prej nga duket me trarë e shtylla të lidhur mirë. Të gjitha dhomat kanë oxhak, ndonjë dollap dhe dritare të vogla. Këto të fundit, përpos dy dritareve që komunikojnë me çardakun, kanë parmakë të pjerrët. Tavani i tyre është punuar nga trarët veshur me dërrasa.

Kulmi i kullës është katër ujës me dy pika kulmore shumë afër njëra tjetrës. Kulmi është mbuluar me tjegulla të Kroacisë (nuk e di si quhen).

Që nga para lufta ky fshat ishte zbrazur, dikush kishte shkuar në Viti e në fshatrat fushore, e një numër i mirë i Lamallarëve kishin shkuar në Shkup që para 40 vjetësh. Tani janë tri familje që janë kthyer për kohën e pushimeve verore në këtë fshat kufitar me Tanushën e Maqedonisë.

 

 

You Might Also Like