Libri

Kur flasim për poezinë

Duke  shfletuar veprën me vlerësime kritike të Razi Brahimit, “Kur flasim për poezinë”, që është një vepër tejet e rëndësishme për vlerësimin e mendimit kritik, mbi poezinë, mu duk e udhës ta përsëris shprehjen e shqiptuar që në fillim të këtij teksti kur shtohet: “Qenka vështirë të shkruash për poezinë kur je apo kur nuk je poet”! Pra, tema e kësaj eseje është “Kur flasim për poezinë”, princezën e artit letrar. Kjo është poezia, e  cila i zgjon krijuesit kohë e pa kohë. Ua rrëmben ëndrrat. Ua  humb kohën dhe ua shliron mendjen dhe shpirtin. S’ka me poezinë…!

Sa më pëlqejnë vargjet artistike! Janë bukuri e rrallë arti. Bukuri që e krijojnë poetët. Ata dhe vetëm ata janë thërmi që nuk “duken”, por vargjet e tyre i lexojmë dhe ato si të tilla na ngazllejnë. Pse jo? Duke lexuar vargje, njerëzit e ndjejnë vetën krenarë. Relaksohen. E duan jetën. Bëhen më “komod”. I recitojnë vargjet. I mësojnë përmendësh. Bie fjala, sa e sa herë janë recituar poezitë e Naimit “Gjuha jonë”, “Bukuria”, “Korça”, “Bilbili”, “Jeta” etj. Këto janë poezi shpirtërore. Ato “flasin” për etninë tonë kombëtare.

Sa bukur tingëllon “shija” e tyre. Këto poezi flasin qartë për ngjarje historike. Bie fjala, poezia “Korça” flet për hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë, më 1887. Dhe, jo vetëm kaq.

Vepra epike e Gjergj Fishtës “Lahuta e Malësisë” sa e sa herë është lexuar e rilexuar dhe akoma ajo recitohet. Është vepër e madhe poetike, e cila flet për një kohë të qëndresës së popullit shqiptar për ta mbrojtur atdheun nga të huajt. Ky është “misioni” i poezisë. Misioni i saj “fisnik” e admirues. Poetët i japin rëndësi vargut, por edhe motivit të tematikës. Me anë të vargjeve, poetët e rrëfejnë historinë tonë të lashtë.

Historia e letërsisë shqiptare nuk do t’i harrojë asnjëherë emrat e poetëve tanë të shquar, si: Ismail Kadaren, Dritëro Agollin, Fatos Arapin, Visar Zhitin, Ali Podrimjen, Din Mehmetin, Azem Shkrelin e disa të tjerë. Këta poetë  tanë, nëpërmjet vargjeve artistike, i “kënduan” historisë sonë. “Ajo që na dhembë, është jona”, ka thënë A. Podrimja. Ose poezia e Mitrush Kutetli është fuqi e rralë krijuese. Ai, në kohën e tij shkroi për rrënjët kulturore shqiptare në Iliri. Ja si tingëllon vargu i tij poetik: “Se loti është robëri, gjaku liri!”. Vargje që tingëllonë bukur e rrjedhshëm.

Apo Migjeni, poeti ynë i mjerimit, pos tjerash, ka kënduar “unë jam vullkan që fle i fashitun”. Këto janë vargje që kanë vokacion të rrallë poetik. Është dhunti e rrallë e krijuesve. Është gjini që ka rregulla. Por, është edhe vokacion i vështirë se proza e drama. Sepse, poezia është art që lirohet nga brendësia e njeriut. Aty shpërthen frymëzimi. Nxjerret jasht dhe jehon vargu larg e më larg. Është jehonë që shpërthen zemra dhe shpirtëra. Bëhet zjarmi. Ja Lasgush si shton “Me zjarr ju flas…, me zjarr!”. Janë fjalët e zbërthyera në letër, por kanë zjarr nga brenda…

E, fjalët “rrëfejnë” ngjarje të brendshme jete. Poezia e fortë e dridh mendjen dhe shpirtin e njeriut. Ata që  hartojnë poezi, janë “mjeshtër” me dhunti natyrore. I falë natyra. Janë me prirje. Janë talentë. Dhe, këta krijues me dhunti janë njerëz të veçantë. Janë poetë. Këngëtarë. Këta krijues shkrihen dhe qajnë nga brenda duke krijuar vargje. Janë përjetuesit më të denjë e më të thellë të tamave medituese. S’ka poet ose ka pak, që ka kanë shkruar në pleqëri, por ka krijues që kanë filluar të shkruajnë nga mosha e tyre e njomë. Poezia është këngë zogu, ndërsa poeti princ i këngës. Shumë poetë e kanë filluar jetën me poezi, por e kanë përfunduar me dhimbje.

Poeti kalabrez, Zef Serembe ishte i tëri poet. Poet i dhimbjes, por edhe poet i lindur i këngës. Ai i recitonte poezitë rrugës, si “Këngë malli”, “Kënga e parë”, “Më të bukurës në Strigar”, “Fytyra e saj” etj. Ai mbylli sytë përgjithmonë duke dashur poezinë. Poezia ia mori jetën, e ai poezinë e përsosi dhe e shkruajti ashtu si do të duhej shkruar e kënduar. I madhi Serembe! La një vepër modeste, por shumë të adhuruar me poezi. Poezia e tij ëshë margaritar i rrallë i krijimtarisë artistike. Këto janë krijime të rralla poetike. Janë poetikë e mirëfilltë. Janë perla arti.

Edhe shumë e shumë krijues të tjerë kanë krijuar poezi. Si të  tillë, ata kanë mbetur në histori si poetë. Por, ka edhe të tillë që vetëm një një poezi ka mbetur poet. Poezia është ngacmim i brendësisë shpirtërore. Ajo shpërthen si vullkan. Bëhet filozofi. Art. Art që të gëzon dhe të mediton. Është “vërragë” që flet vet. Duke lexuar poezinë, njerëzit kanë qajtur dhe i kanë shëruar dhembjet. Por, edhe duke studiuar poezinë, njerëzit e kanë njohur realitetin e një kohe. Poeti i madh Lasgush Poradeci diku ka thënë, “s’ka me pozinë”! Kjo gjuhë e poezisë është e zjarrtë, gjuhë e “perëndisë” ose gjuhë e “bilbilit” të zemrës.

Poezia të shliron nga brenda. Ajo është vullkan që i shpërthen ndjenjat. S’ka më bukur se poezinë. Poezia është këngë dhe “këndohet” si këngë. Në fillim ishte fjala. Poezia e mirëfilltë ëshë krijim hyjnor, shprehje e rrallë e fuqisë së krijueseve. Poezia është dhunti e njeriut për të hartuar vargje./Tefik Selimi/

You Might Also Like