Libri

KUR POETI SHKRUAN GRAFITE

Xhevat Latifi

KUR POETI SHKRUAN GRAFITE

( Botuar si pasthënie në librin GRAFITE NËNLËKURORE të shkrimtarit Sabit Rrustemi )

Kur poeti shkruan grafite
është i lodhur nga politika dhe gazetat që po vdesin dikur si emblema të fjalës
i lodhur dhe nga ato dreq shkrime të së shtunës kur kritikët rrejnë

Epo e njeh moralin e kritikëve që bëjnë atë që munden
ngase nuk mundin më shumë janë impotent të bëjnë fjalë të mira

Eh poeti shkruan Grafite
ngase është lodhur nga shteti që i merr taksë frymëzimin
edhe e bën të presë në radhë në repartin e shërimit
skleroza miope të mbyllet brenda
andaj shkruan
të shkretat mure me ca fjalë
që thonë shumë për kohën e Rita Orës
për kohën e UÇK-së dhe Kosova Republikë
për Atë Bacë u krye…
e për Agim Ramadanin…

Grafiti: Presidente ti po bën hajgare! (po na marrin nëpër gojë)
bëhen parulla për protestën: Mos me lëshue vendin; Poshtë qeveria!

Nejse
nuk janë krejt grafitet politiikë

Poeti shkruan grafite
se gratë, ahh këto gratë nuk lexojnë më poezi
duan seks të shpejtë dhe mundësisht një natë me ters
pa shenja pa gjurmë dhe në fund pa fjalën të dua (s’ka këtu poezi)

Poeti shkruan pra gra-fite për inat
për gratë, për shumë gra të Carls Bukovskit
për ato gra të ikura në politikë
që lexojnë grafite shpejt e shpejt nga veturat me dritare të zezë

* **
Grafitet janë për faqe të bardhë
(për çarçaf të bardhë me ca pika purpur)
që damkojnë një mur për të mos prishur një zemër
janë ca pika të një tregimi që ka nisur i pari Platoni…
me një shkronjë a me një fjalë
p.sh., grafiti: T’du… pak n’gji!
huton çdo femër që bie në duart e një poeti te çmendur si Marko Trena
që bënte dashuri me krejt gratë e fshatit

Lexoni
gra-fitet janë poezi që tregojnë për dashurinë
si hieroglifët nga varri i Kleopatrës
në ty vizatohet Dielli!

You Might Also Like