Gjilan

Kurteshi-Emini: Simboli më i madh i sakrificës për lirinë e shqiptarëve është familja Jashari

Gjilan, 6 mars 2021 – Në shënim të 23-vjetorit të sakrificës së madhe të familjes Jashari, institucionet komunale të Gjilanit, të udhëhequra nga kryesuesja e Kuvendit, Shpresa Kurteshi-Emini, kanë bërë sot homazhe te varrezat e dëshmorëve.

Kurteshi-Emini është shprehur se simboli më i madh i sakrificës për lirinë e shqiptarëve është familja Jashari.

“5, 6 dhe 7 marsi na e kujton sakrificën e madhe të popullit shqiptar për lirinë e Kosovës dhe në thelb të kësaj është njëri nga simbolet më të mëdha e historike të sakrificës, ai i familjes Jashari në krye me komandantin legjendar, Adem Jashari. Në nderim të tyre dhe të gjithë të rënëve për liri, ne kemi bërë sot homazhe te varrezat e dëshmorëve”, tha ajo.

Kurteshi-Emini tha se do të vazhdojnë mbi baza ditore të punojnë me ngulm për ta forcuar shtetin e Kosovës.

Ndërkaq, pasdite Komuna e Gjilanit ka organizuar manifestim kulturor në shënim të Ditës së Mësuesit, ku pos ndarjes së mirënjohjeve për mësuesit e pensionuar dhe më të mirët e vitit, është bërë edhe hapja e muralit në shkollën e muzikës.

Në këtë ngjarje, vlerësim të lartë për rolin e mësuesit në edukimin e brezave kanë shprehur kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini dhe drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica.

You Might Also Like