Gjilan

Kurteshi-Emini: Sot vendosëm që Kuvendi Komunal i Gjilanit t`i rikthehet agjendës së punës në qershor

Gjilan, 21 maj 2020 / Kuvendi Komunal i Gjilanit do të rikthehet në punë gjatë muajit qershor, kur parashihet të mbahen dy seanca, sipas një agjende të reduktuar për shkak të gjendjes së pandemisë, por edhe si nevojë për të kompensuar kohën e humbur për këtë arsye.

Kështu është vendosur sot në një takim të kryesueses së Kuvendit Komunal, Shpresa Kurteshi -Emini me shefat e grupimeve politike, të cilat përfaqësohen në vendimmarrjen komunale.

“Ne u dokorduam që të rinisim punën dhe në takimin e sotëm me shefat e grupeve të këshilltarëve komunalë harmonizuam agjendën e punës për takimin e Komitetit për Politikë dhe Financa, që do të mbahet më 26 maj, për t`i hapur rrugë punës së Kuvendit, që gjatë qershorit do të mblidhet dy herë”, ka thënë Kurteshi-Emini.

Për seancën e parë, në rend dite do të jenë katër pika: Raporti i punës i kryetarit të Komunës për vitin 2019, Raporti financiar janar-dhjetor 2019, Propozim-vendimi për emërimin e komisionit për zgjedhjen e drejtorëve dhe z/drejtorëve në institucionet arsimore si dhe një Informatë për pandeminë.

Disa nga pikat tjera, që kanë qenë të planifikuara për mars, do të shtyhen për seancat tjera, meqë nuk kanë ndonjë urgjencë.

Kuvendi do të mblidhet në një ambient të përshtatshëm për të respektuar distancën fizike si dhe kushtet tjera që kërkohen për situatën pandemike.

Pjesëmarrja e publikut nuk është e lejueshme.

Rikthimin e Kuvendeve Komunale në punë e ka lejuar MAPL-ja, sipas kushteve të emergjencës shëndetësore, pas kërkesës së Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe konsultimeve me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Këshillin Emergjent Qendror.

You Might Also Like