Gjilan

Kurteshi-Emini viziton Qendrën e Kujdesit Ditor “Pema”, premton mbështetjen e Komunës

Gjilan, 15 mars / Kryesuesja e Kuvendit Komunal në Gjilan, Shpresa Kurteshi-Emini ka vizituar të enjten Qendrën e Kujdesit Ditor “Pema”, e cila ofron shërbime ditore për fëmijët me nevoja të veçanta, ku nga drejtoresha Liridona Zogaj është njoftuar me punën që bëhet në këtë qendër, për nevojat dhe sfidat me të cilat përballen.

Njëherësh, gjatë vizitës në “Pema”, Kurteshi-Emini është takuar edhe me fëmijët, të cilët i shfrytëzojnë shërbimet e kësaj qendre dhe i ka inkurajuar ata që të mos heqin dorë nga ëndrrat e tyre, duke kërkuar nga prindërit që të jenë një mbështetje e fuqishme për këta fëmijë.

Drejtoresha Zogaj ka thënë se Qendra ka nevojë për mbështetje financiare, që të mund të zhvillojë aktivitetet e veta në dobi të fëmijëve me nevoja të veçanta.

Duke e vlerësuar punën e “Pema” për t`iu dalë në ndihmë fëmijëve me nevoja të veçanta, në zhvillimin e aftësive të tyre, Kurteshi-Emini ka thënë se Komuna e Gjilanit, brenda mundësive që ka, do të jetë gjithmonë afër kësaj Qendre, për të krijuar një ambient sa më të përshtatshëm për këtë kategori të fëmijëve, që ata të ndihen pjesë e barabartë e shoqërisë sonë.

Në të vërtetë, në fund të vitit 2017, Komuna e Gjilanit, me nismën e kryetarit Lutfi Haziri ka organizuar një gala mbrëmje humanitare, për të kërkuar solidaritetin e njerëzve të vullnetit të mirë për fëmijët me nevoja të veçanta, ku janë premtuar mbi 200 mijë euro.

Përndryshe, Qendra e Kujdesit Ditor “Pema” sivjet ka hyrë në vitin e saj të pestë të punës në ofrimin e shërbimeve, ku përfshihet trajtimi profesional për fëmijët me nevoja të veçanta, si nevojë për të siguruar një mirëqenie e integrim të kësaj kategorie si dhe për të lehtësuar peshën e kujdesit dhe shqetësimet e prindërve për këta fëmijë.

Qendra e konsideron privilegj dhe përgjegjësi besimin e prindërve dhe mbetet e përkushtuar që të ofrojë të gjitha shërbimet e mundshme, në mënyrë që këta fëmijë të mos mbeten të izoluar nëpër shtëpitë e tyre, por të zhvillohen e përparojnë sa më shumë që është e mundur.

Përndryshe, në gusht të vitit të kaluar, Kuvendi Komunal i Gjilanit ka miratuar një vendim për caktimin e një lokacioni për ndërtimin e Qendrës për fëmijët e braktisur, për fëmijët me nevoja të veçanta, për nëna dhe fëmijë si dhe për të moshuar, ku do të sistemohet edhe Qendra e Kujdesit Ditor “Pema”

You Might Also Like