LAJME

Kush ishte kryetari i parë i Komunës së Gjilanit nga radhët e fëmijëve ?

Nisma kishte ardhur nga KFOR-i amerikan, në tetor të vitit 2001, përkatësisht koloneli Jack Kamerer, i cili, i impresionuar nga vizita e një grupi të nxënësve në kampin “Monteith”, kishte propozuar që posti i kryetarit të Komunës, t`i lihej për një ditë Egzon Bajrami. Sot, 17 vjet më vonë, “pushteti” i kryetarit iu besua nxënëses Riga Aliu.

  Ilmi Musliu

Duke e vazhduar një nismë të pasluftës, Gjilani ia ka besuar sot pozitën e kreut të Komunës, nxënëses Riga Aliu. Riga, së bashku me stafin e saj, të zgjedhur, Olti Suliqi, kryesues i Kuvendit të Komunës, Ledi Sylejmani, nënkryetar, Kanina Mehmeti, zëvendëskryesuese dhe Rona Aliu, shefe e kabinetit, si simbolikë e respektimit të të drejtave të fëmijëve, do ta drejtojnë Komunën e Gjilanit për 24 orë.

Një ditë, ndonjëri nga këta fëmijë, mbase mund të jetë kryetar i Gjilanit.

Por, kur ka filluar kjo praktikë e “dorëzimit” të pushtetit tek fëmijët në Gjilan, me të drejta që të nënshkruajnë edhe ndonjë vendim gjatë ditës kur qeverisin dhe kush ishte kryetari i parë i Gjilanit ?

Nisma kishte ardhur nga KFOR-i amerikan, në tetor të vitit 2001, përkatësisht koloneli Jack Kamerer, i cili, i impresionuar nga vizita e një grupi të nxënësve në kampin “Monteith”, kishte propozuar që posti i kryetarit të Komunës, që edhe asokohe e mbante Lutfi Haziri, t`i lihej për një ditë Egzon Bajrami.

Nga kjo pozitë, më 15 tetor 2001, dhjetëvjeçari Egzon Bajrami u kishte bërë thirrje qytetarëve të Gjilanit, që t`i bashkëngjiten një aksioni për pastrimin e ambientit dhe të gjithë së bashku të krijojnë një mjedis më të mirë për jetesë.

Ndërkaq, koloneli Kamerer, asokohe tha se “unë do të isha shumë i lumtur po të kisha një fëmijë si Egzoni, i cili është shpresë për të ardhmen e këtij vendi”.

Nxënësi i klasës së katërt të shkollës fillore “Selami Hallaqi” të qytetit, tha se ndjehet i emocionuar nga përzgjedhja për ta imituar rolin e kryetarit të Komunës, që realizohej për herë të parë në Gjilan.

Premtimi i tij asokohe ishte se do të angazhohet që një ditë të bëhet kryetar i vërtetë i Komunës, por nuk kemi njohuri se ku ndodhet tani Egzon Bajrami, 17 vite pas.

Këtë të premte, pozitën e kryetarit të Komunës, e ka marrë për një ditë, nxënësja Riga Aliu, duke përvijuar kështu një traditë 17-vjeçëare që është instaluar në qytetin e Gjilanit.

You Might Also Like