Gjilan

Kuvendarët e Gjilanit miratojnë dhënien në shfrytëzim të pronës komunale, hapin mundësi për investime dhe vende të reja të punës

Gjilan, 26 maj 2021 / Kuvendi Komunal i Gjilanit (KKGJ), nën drejtimin e Shpresa Kurteshit Eminit, ka shqyrtuar dhe miratuar sot tri rregullore: rregulloren për taksa, rregulloren për ndarjen e bursave për studentë si dhe rregulloren për menaxhimin e pasurisë jo financiare – inventarit të vjetër, disa vendime që kanë të bëjnë me dhënien në shfrytëzim afatgjatë dhe afatshkurtër të pronës komunale, një kërkesë të Qendrës së Kujdesit Ditor “Pema” si dhe disa rekomandime të tjera nga Komiteti për Politikë dhe Financa.

‘Rregulloret i kanë kaluar të gjitha procedurat e parapara, përfshirë edhe dëgjimet publike, ku janë marrë vërejtjet dhe sugjerimet e qytetarëve’, ka thënë kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini, duke nënvizuar se draftet, me plotësimet dhe ndryshimet e propozuara, janë rekomanduar edhe nga Komiteti për Politikë dhe Financa.

Sa i përket rregullores për taksa komunale, debati më i madh u zhvillua rreth gjobës së propozuar për dëmtimin, përkatësisht moskthimin e librit në bibliotekë, duke thënë se është e lartë dhe duhet të ulet.

Bardhyl Syla, drejtor i Administratës, i cili dha sqarime në emër të komisionit, tha se qëllimi nuk është dëmtimi i lexuesve, por krijimi i disiplinës në shfrytëzimin e librit dhe u shpreh i bindur se nuk do të vijë puna të zbatohet gjoba.

Kuvendi u dakordua gjobë për moskthimin e librit të jetë 50 euro dhe jo më e lartë, ndërkohë që nuk përkrahu propozimin për rritjen e dy tarifave te shërbimet publike, shkaku i gjendjes së pandemisë, të cilat do të mbeten të njëjta.

Vëmendje të gjerë morie dhe rregullorja për bursa, e cila u miratua me disa plotësime, saktësime e korrigjime, të propozuara kryesisht nga Gentrit Murseli, por edhe kontributet e këshilltarëve Burim Berisha, Nehat Osmani, Shefik Surdulli, Mimoza Kadriu, Arta Nuhiu, Festa Shabani, Riza Abdyli, Shemsedin Ramushi, Milivoje Stojanoviq, Arbresha Berisha, Isa Agushi e Avdyl Aliu, sikurse edhe të kryesueses Shpresa Kurteshi Emini si dhe sqarimet shtesë, që në emër të komisionit i dha Bardhyl Syla.

Po ashtu, Kuvendi ka miratuar edhe vendimin për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës komunale përmes shprehjes së interesit, vendimin për formimin e Komisionit vlerësues të ofertave për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës komunale, vendimin për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pronës komunale përmes ankandit publik, vendimin për formimin e Komisionit vlerësues të ofertave për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pronës komunale, vendimin për lejimin e këmbimit të pronës së paluajtshme komunale me pronën e paluajtshme private në “Fidanishte” si dhe vendimin për caktimin e lartësisë së kompensimit për komisionit për ndarjen e bursave.

Sa i përket dhënies në shfrytëzim të pronave komunale, sqarimet e nevojshme i ka dhënë drejtori i Kadastrës, Sali Fazliu, i cili ka thënë se shfrytëzimi i këtyre hapësirave do të bëhet në përputhje me planet hapësinore të Komunës, pa i cenuar të drejtat e qytetarëve në ato zona, por edhe duke kërkuar prej tyre të mos i rrezikojnë investimet dhe interesat publike, sepse qëllimi është nxitja e zhvillimit ekonomik dhe hapja e vendeve të punës.

Ndërkaq, sa i përket komisionit për ndarjen e bursave, u miratua propozimi për një kompensim prej 250 euro për secilin anëtar, siç ishte propozuar në KPF.

Njëherësh, Kuvendi miratoi edhe kërkesën e Qendrës së Kujdesit Ditor “Pema” për vendosjen e Pllakës Informuese me mbishkrimin “Kopshti i 21 Fidanëve” dhe kërkesës iu përgjigj pozitivisht.

Në pjesën e pyetjeve-përgjigjeve, këshilltarët komunalë Riza Abdyli, Nehat Osmani, Burim Berisha, Mustafë Rexhepi, Mimoza Kadriu, Milivoje Stojanoviq, Bujar Nevzati, Shemsedin Elezi, Xhelal Hajrullahu, Arianit Sadiku, Fitim Guda, Shefik Surdulli dhe të tjerë kanë ngritur probleme të ndryshme, që kanë të bëjnë me infrastrukturë rrugore, kanalizime dhe ujësjellës, me varrezat e qytetit, me taksitë dhe vend parkingjet për ta, me deponitë e egra, kushtet dhe procedurën e dhënies në shfrytëzim të pronave komunale dhe të tjera.

Në përgjigjet e tij, drejtori Naser Korça (Shërbime Publike) ka thënë se rrugët në lagjen Dardania do të trajtohen në kuadër të projektit të mirëmbajtjes verore, për aq sa ka buxhet, ndërsa sa i përket parkimit në lagjen Iliria, që është i destinuar për 6 ndërtesa të banimit kolektiv, Korça tha se ngushtimi ka të bëjë vetëm te pjesa e vendosjes së një këndi të lodrave për fëmijë dhe një shiriti të gjelbërimit.

Rruga te tregu është e projektuar, por për sivjet nuk kemi mjete, sikurse nuk mundemi të iniciojmë asnjë projekt rrugor në qytet dhe fshatra, për shkak të mungesës së buxhetit, tha Korça, ndërkohë që mohoi të jetë e vërtetë se disa rrugica në Zhegër janë anashkaluar nga asfaltimi shkaku i pikëpamjeve partiake, duke thënë se kjo nuk ka ndodhur dhe as nuk është e mundur të ndodhë.

Në lidhje me parkimin e taksive në rrugën e Prishtinës, tha se ka pasur ankesa të banorëve për zhurmë dhe mos mbajtje të pastërtisë nga ana e taksive, por u shpreh i gatshëm që të gjejë një zgjidhje tjetër, edhe pse komuna nuk ka marrë obligim të sigurojë vend parkingje për këta taksi. Ndërkaq për ujësjellësin në Vërbicë, ai sqaroi se janë duke e pritur gypin kryesor, i cili duhet të sigurohet nga CDI-ja, si partner në këtë projekt, për të vazhduar me punime.

Sali Fazliu (Kadastër) ka dhënë përgjigje në lidhje me dhënien e pronës komunale në shfrytëzim, duke thënë se ligji ka për qëllim sigurimin efektiv të pronës së komunës për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, rritjen e vlerës së pronës dhe përmbushjen e interesit të përgjithshëm publik.

Sa i përket planit zhvillimor komunal, Bekim Bajrami (Urbanizimi) tha se drafti është dorëzuar në Ministrinë e Ambientit dhe jemi në pritje, kurse te lokacioni i varrezave të qytetit, ai tha se ne jemi munduar ta mbrojmë një plan të ish-qeverisjes, e cila tani si opozitë i ka ndryshuar qëndrimet ndaj një vendimi që asokohe e kishte miratuar vetë.

Kurse Nevzat Rushiti (Inspekcioni) dha sqarime në lidhje me deponinë te stadiumi, duke thënë se përkundër reagimit tonë në pastrimin e asaj dhe hapësirave të tjera, qytetarë të pa ndërgjegjshëm po krijojnë deponi të egra vazhdimisht.

You Might Also Like