Futboll

Ky është vendimi i Komisionit të Garave për ndeshjen Vitia – Vllaznia

Komisioni i  Garave i IPKO Superligës dhe Ligës së Parë të Kosovës në futboll në përbërje Ismet Ahmeti, Isuf Ajeti, Abdyl Bellopoja me rastin e regjistrimit të ndeshjes së javës së 29-të të Ligës së Parë ndërmjet KF “Vitia” – KF “Vllaznia” (P) konstatoi se KF Bashkimi (K) si palë e tretë ka ushtruar ankesë në parregullsinë e ndeshjes, në bazë të nenit 59, paragrafi 2 të Propozicioneve të Garave, andaj konform nenit 60 paragrafi 6 i Propozicioneve të Garave, nxori këtë:

V E N D I M

Refuzohet ankesa e KF “Bashkimi” (P) si e pabazuar dhe ndeshja e javës së 29-të e Ligës së Parë të Kosovës ndërmjet KF “Vitia” – KF “Vllaznia” (P), regjistrohet me rezultatin e arritur në fushë 1:0 në favor të KF ”Vllaznia”.

ARSYETIM

Komisioni i Garave me rastin e regjistrimit të ndeshjes KF “Vitia” – KF “Vllaznia” e vlefshme për javën e 29-të të Ligës së Parë të Kosovës, konstatoi se KF “Bashkimi” si palë e tretë ka ushtruar ankesë në parregullsinë e paraqitjes së lojtarit KF “Vllaznia” (P), Elbasan Jakupi me nr lic 8  dhe nr ID 001003M92.

Gjatë administrimit të provave KG  ka konstatuar se: Ankesa është e afatshme, e lejuar e takësuar dhe i përmbushur të gjitha kushtet për shqyrtim dhe vendimmarrje nga KG.

 

Pas shikimit dhe verifikimit të protokolleve zyrtare të ndeshjeve KG ka vërtetuar se lojtari i lartpërmendur ka qenë i ndëshkuar me kartonë të verdhë në javët: 1, 3, 4 dhe 8, derisa ka pushuar në javën e 9, i ndëshkuar në javët: 12,13,14 dhe 15 dhe ka pushuar në javën e 16, i ndëshkuar në javët: 18, 19, 24, 26 dhe ka pushuar në javën e 27-të. Është aktivizuar me të drejtë në javët 28 dhe 29, ku u ndëshkua me kartonë të verdhë, andaj nuk kemi shkelje të nenit 53 paragrafi 1 të Propozicioneve të Garave, andaj edhe refuzohet ankesa e KF “Bashkimi” (K)  si e pabazuar dhe ndeshja e javës së 29-të KF “Vitia” – KF “Vllaznia” (P) regjistrohet me rezultatin e arritur në fushë 0:1 në favor të KF “Vllaznia” (P).

Nga theksimet e lartshënuara u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi.

KËSHILLË JURIDIKE: Pala e pa kënaqur ka të drejtë ankese në afatin prej 3 (tri) ditëve, nga dita e pranimit të vendimit, Organit të shkallës së dytë (Komisionit për ankesa, sipas  procedurës së paraparë më Propozicione e Rregullore të FFK-së). Publikimi bëhet në faqen zyrtare të FFK-së, dt. 17.05.2019

You Might Also Like