Sportet me dorë

Ky ishte ekipi kampion i KV Drita, dy dekada më parë

Të rralla janë ekipet që brenda një stinori mund të fitojnë të gjitha trofetë e mundshme edhe pse kanë funksionuar me një buxhet modest, pa lojtarë nga jashtë e me një vullnet të pashoq.

I tillë ishte Klubi i Volejbollit Drita nga Gjilani, i cili dy dekada më parë pati fituar titullin e Kampionit, Kupën e Kosovës në Volejboll dhe pak ditë më pas në një lojë përshëndetëse të lojtarit të vet, Faruk Brestovci kishte mposhtur edhe Reprezentacionin e Kosovës.

Dy dekada më parë, kur në Kosovë ishte një gjendje tejet e rëndë, gjendje lufte, në Prishtinë, në Sallën e Edukatës Fizike të Shkollës Fillore “Asim Vokshi” në Prishtinë, po zhvilloheshin ndeshjet e përfundimtares në Volejboll, në prani të shumë shikuesve, që edhe sot shumë ekipe volejbolli do t’ia kishin lakmi.

Drita, që kampionatin e kishte nisur me vështirësi të natyrave të ndryshme, organizative, financiare e probleme të tjera, falë një mobilizimi ia kishte dalë që në fund të garave të rregullta të renditet në pozitën e katërt dhe që në gjysmëfinale kishte një punë të vështirë, ku u desh të përballet me ekipin e Suharkës, kurse pas një drame në pesë akte, Drita në fund ia doli që të ngadhënjejë me rezultat 3:2 në sete dhe në finale kishte ballafaqimin me Shpellën e Mermertë nga Gadimja.

Përbërja e Dritës, Faruk Brestovci, Bardhyl Ibrahimi, Arben Bislimi, Ramadan Krasniqi, Driton Bajraliu, Blerim Berisha, Florent Lenjani, Arton Bajraliu, Lorik Ilazi, Arsim Qehaja,  Arben Matoshi, Gazmend Kërqeli kishin shënuar fitore të pastër me rezultat 3:0 (15:12, 15:13, 15:11). Në KV Drita kontribut kishin dhënë edhe Besart Klaiqi, vëllezërit N. Ahmeti dhe L. Ahmeti, që ishin larguar jashtë vendit.

Interesimi për këtë ndeshje ishte i jashtëzakonshëm, ndonëse rrethanat në Kosovë në atë kohë ishin tejet të rënda – gjendje lufte. Të dy ekipet edhe Drita edhe Shpella në finale kishin depërtuar nga plani i Dytë, kurse atëherë kur më së shumti u desh,  Drita dëshmoi se ishte ekipi më i përgatitur i ligës, kurse sidomos ndeshjet e përfundimtares treguan se Drita kishte një ekip tejet homogjen.

Atëbotë, gazetarët sportivë lojën e Dritës e përshkruanin me një fizionomi që funksiononte në cdo element, të gërshëtuar nga lojtarë veteran, Brestovci, Ibrahimi, Krasniqi, gjenerata e mesme Bislimi dhe lojtarët e rinj, atëherë nxënës të shkollës së mesme vëllezërit Bajraliu, Berisha, Lenjani, Ilazi e Kërqeli.

Ndeshja finale për Kupën e Kosovës e paraparë të zhvillohet pak ditë më pas nuk u zhvillua, ngase në Kosovë luftohej në të gjitha anët, kurse ajo u zhvillua me ardhjen e lirisë, ndeshje në të cilën Drita sërish ishte më e mirë se Suhareka, të cilën e mposhti me rezultat 3:0./Kryelajmi.com/.

 

You Might Also Like