Futboll

Lojë shterpe e Gjilanit

Gjilani ka befasuar për të keq këtë të mërkurë. Lojtarët e ekipit bardh e kuq në shumicën e kohës e patën topin në pronësi, por në fund fushën e lëshuan kokulur, ngase u mposhtën nga Llapi, i cili pas asnjë rast të mirë ia doli të arkëtojë tri pikë.

Vandasit shumicën e kohës janë sjellë poshtë e lart, pa ndonjë aksion të mirë, kurse mysafirët që u pa haptas se kishin ardhur të shkëpusin një pikë, në fund i morën të trija.

Goli i mysafirëve nuk erdhi si pasojë e ndonjë sulmi të rrjedhshëm, por pas një gjuajtje nga këndi në minutën  17, Kastrati intervenoi ngathtë dhe gaboi rëndë duke pasuar topin te Florim Bërbatovci, i cili nga një pozitë ballore e futi topin në rrjetë.

Gjilani kishte në dispozicion kohë të mjaftueshme për të shënuar, por sulmuesit e saj gabonin në pasimet vendimtare. Vendasve u mbeti hatri që për ta nuk u dha një penalti, kur Rusi u penguan në brendi, derisa mysafirët deri në fund, me mençuri e zhagisnin lojën, derisa ndër lojtarët vendas, por edhe te publiku shterej durimi. Në fund vendasit shumë u ankuan te gjyqtari kryesor, kurse mysafirët të lumtur e lëshuan fushën.

Gjilani – Llapi 0:1 (01)

Stadiumi i Qytetit në Gjilan. Shikues: 300. Arbitra: Batalli, Muhadri, Berisha, Shuleta. Shënues: Florim Bërbatovci 17’. Kartoni i verdhë: Rusi – Abdyli, Namani, Shaqiri, Emini, Hyseni.

Gjilani: Maloku, Kastrati, Bekteshi, Thaçi, Blakçori, Mustafa, B. Ahmeti (Gashi), Shabani (Texeira), Nebiu (A. Ahmeti), Rusi, Eminhaziri. Trajner: Arbnor Morina.

Llapi: Abdyli, Idrizi, Jashari, Sinani, Namani, E. Zeqiri, Shaqiri, Emini (Kadriu), V. Zeqiri (Qerimi), Berbatovci, MUlaku (Hyseni). Trajner: Tahir Batatina.

You Might Also Like