Libri

M Ë D Y SH J E T

Mehmetali Rexhepi

Ishin ngazëlluese për Zefin kur shihte t`i kishin zënë vend rreshtat e ndjenjave të ti në ndonjë kënd gazete a reviste. Ai ritëm rinor bulëzonte për t`i çelur ngjyra ëndjes…. Cila sykaltër, syzezë ose sylarushe do t`ua hidhte sytë atyre rreshtave të zemrës gurgulluese? Athua do t`ua hedh fare shikimet ndonjëra sish dhe të identifikohej me vargjet? Kush mund të ishte ajo loçkë anonime? Çfarë emri do të kishte, si do të dukej?… Cilën aromë që nuk e ka maji do t`ia shtonte ajo? Kapërcimet mbi peshore sysh dhe pasqyrash kishin peshën dhe dukjen më të shpeshtuar… A do të ishte i denjë për një zemër po aq të etur sikurse kjo e tija? Vlimet i mbante të fshehura, vaj halli për kumbimet e zemrës… Rinorja e Zefit i fshihte ato ndrydhje impulsesh, sikur të ishin tabu të shkruara, shpërfillja e të cilave e përjashtonte vetvetiu, e ndiqte nga rendi i faqebardhëve. Përmasa e llavës së epshit do ta përulte, diku do t`i zbrazej në rastin e parë… Zbrazja e rastit të parë s`mund të ishte e përzgjedhur, mund të ishte e pistë dhe t`i shkruhej e zeza në ballë!

– Merre me mend si do të më shikonin fshatarët e mi?! -Shfaqte turpin drejtë të cilit mund të binte Zefi.

Atë llavë epshi që dendësohej dita-ditës fare lehtë e cyste për ta shpërthyer një xixë e vockël e fijes së kashtës, një gacë shikimi, një buzëqeshje enigmatike, një prekje e butë dore, një gjoks i fryrë ose tundja e dy flegrave vithesh rrumbullake të bel-hollës. Në vistrën e parakëve nuk ishin zënë në gojë faqezinjtë e nderit…

Zefin e kishte mpirë epshi përderisa netët e gjata të gjumit, ia shndërronin epshin në qindra trajta të joshjes… Derisa erupsioni tërhiqej në shtresime të ftohta, botës tij avulluese i fryu një vrushkull i ftohtë, si një lloj spërkatje akullnajore dhe, mbi termometrin e temperaturës i solli esëllti:

– O Zot frenoje me Dorën Tënde të Madhërishme këtë vërshim, këtë dramë të paautorizuar, se nuk e di ku do të më katranoset kjo fytyrë imja!?

Zefit, jo një herë, i kishin dëftuar bëma baritore, si ajo për filanin, se pikërisht ai filani ia paskësh marrë virgjërinë pelës… Kënaqësia ishte përjetuar për secilin në mënyrën e vet: me pasthirrma dhe hingëllima!

* * *

Bastuni u bë këmba e tretë e Zefit. Deri te gjetja e udhës së esëllt ai kishte luhatjet e tija të ndjenjave. Jo një herë zhytej në ndodhi bëmash të forta prej të cilave nuk shkëputej lehtë. I kthjelluar kur i pushuan dhimbjet, u thellua në bëmën e incestit:

– Kënaqësia është e verbër- tha dhe priti t`ia tumirte dikush.

E thoshte sikur të ishte vetë aktori i kësaj verbërie… I verbërisë së zbrazjes në një vrimë prej muskujsh dhe tuli…Tundi kokën dhe u kredh diku, dikur në shelgjishtet e livadheve të qytetit… Pas ëndrrave me motive cullake donte ta kishte te shtrati Motin… Për një çast iu kujtua ndalesa dhe gjoba e qarkullimit jashtë orarit. Vijonin masa të shmangies nga fryma e lëngshme dhe tejet infektuese mes njerëzish afër burimit të virusit “Corona” Kishte marr qetësuesit e radhës. Ndonjë herë kur e përfillte veta e qasjes tjetër të ngjarjeve, gjësendeve, dukurive, i dilte për ballë si një korrektues i durueshëm, si qatip i fshirjes së shkarravinave për tjetër rishkrim të kohës…

Dukuria e incestit, që tashti nuk i shqitej si trajtë etike, me gjymtyrë të shkalluara, me tela në zemër, e trembi plotësisht… Mos kishte pasur një ndodhi të tillë në lozën e vazhdës tij? Kush e di?… Ai assesi t`i largohej asaj mynxyre, sikur të ishte në hullinë e saj? Kjo iu kishte bërë jo temë, porse njëra nga krye-temat tej virusit zhbirues “Covid 19”!Tema përkatëse e brente

pashpjegueshëm… Ai thuajse ishte njëjtësuar me të! Dashnorja e dikurshme i dilte herë motër, herë dashnore?! Disa herë ishte matur, por në kujtesë hynte e dilte gjithçka tjetër, kur i zhdavaritej mjegullnaja e kllapisë, mëtonte t`i drejtohej vetës, arkivuesit dhe korrektuesit tij:

– Hë, si thua ti, Korrektues?

– A mos je identifikuar edhe ti me gjëmën e incestit të dikurshëm se ishim të rinj dhe të verbër atëherë?!

Derisa të mos i avullohej mjegulla e kllapisë, Korrektuesi nuk e vendoste dialogun e mirëfilltë me Zefin.

* * *

Zefi tërë jetën mbeti ithtar i çiltërisë. Ditët e frymëmarrjes i numëronte deri te çasti i frymë-dhënies. Copëza leximesh që nga antikiteti i riktheheshin si fiksime, si pleksje me të ndodhurat e lashta dhe të sotme, ku domosdo diku Ai e shihte vetën si njëri nga personazhet… Vetminë e porositur të tetëdhjetave ia solli gjëma e virusit djallëzor… Si duket dija dhe djallëzia janë pajtuar për gjëmën e heshtur, pa krisma armësh…

Atëbotë mëdyshje, tash mëdyshje për pastërtinë e lamtumirës…

Atëbotë i ishte vënë kushti qeveritar:

– Zef, ti largohesh që të izolohesh nga ndikimi infektues i të rinjve me viruset e ideve tua!..

Gjilan, prill 2020

You Might Also Like