OPINION

MASAKRA E KABASHIT (NËNTOR 1913)

dr. sc. Fitim RIFATI

MASAKRA E KABASHIT (NËNTOR 1913)

Morava e Epërme shtrihet në pjesën juglindore të Kosovës, në shpatet veriore të Karadakut të Shkupit, duke përfshirë luginën e lumit Morava. Kufizohet me Gjilanin, Ferizajn, Kaçanikun dhe Maqedoninë. Pjesë e saj është edhe fshati Kabash. Sipas një regjistri osman të vitit 1901 mbi popullsinë e rrethit të Gjilanit, fshati Kabash kishte 194 shqiptarë të përkatësisë fetare myslimane. Pas pushtimit dhe shpalljes së aneksimit serb, zyrtarët shtetërorë deklaruan se Mbretëria e Serbisë nuk do të respektonte vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër mbi mbrojtjen e popullatës joserbe. Rrjedhimisht, pakënaqësinë e shqiptarëve ndaj pushtimit dhe aneksimit serb, Beogradi zyrtar e përdori si pretekst për të intensifikuar shkallën e krimeve kundrejt tyre.

“Serbizim me çdo çmim”

Krimet serbe me pikësynim shkatërrimin e plotë të shqiptarëve, mbështeteshin në programin shtetëror dhe në formulën politike “Serbizim me çdo çmim”, që u zbatua në formën më brutale dhe pa kurrfarë mëshire. Mbretëria e Serbisë kishte për synim tjetërsimin, asimilimin dhe serbizimin e të gjithë elementëve të popullsisë joserbe, eliminimin, ekzekutimin ose shkatërrimin e individëve dhe grupeve opozitare apo kundërshtare të pushtetit, konfiskimin e tokave që nuk u përkisnin serbëve, për të sistemuar në to popullsi kolone serbe. Në këtë kuadër, parashihej të ushtrohej serbizimi i detyruar i antroponimisë së personave, persekutim, presion i vazhdueshëm asimilimi të katolikëve e myslimanëve, mbyllja e xhamive, heqja e mbulesave të kokës (plisit, fesit e shamisë) për gratë dhe burrat, eliminimi i veprimtarëve të lëvizjes kombëtare etj., ndërsa masakrat i hapnin rrugën zbatimit të menjëhershëm dhe të dendur të politikës së kolonizimit. Në këtë kontekst, përmasat e krimeve shtetërore, ushtarake, administrative dhe civile serbe ndaj shqiptarëve të kësaj treve gjatë fundit të vitit 1912 dhe fillimit të vitit 1913, janë pjesërisht të njohura. U kryen masakra në Tërstenik, Goshicë, Smirë, Lubishtë, Vërban, Mogillë etj. Një tjetër akt i rëndë krimi që tronditi shqiptarët dhe disa prej përfaqësuesve të huaj diplomatikë, ishte masakra serbe kundrejt shqiptarëve të fshatit Kabash, në nëntor të vitit 1913.

Shtrembërimet e shtypit dhe historiografisë serbe

Për aktin e krimit në fshatin Kabash, në fund të nëntorit 1913, shkroi gazeta serbe Pijemont, e cila dilte në Beograd. Në artikullin me titull “I opet fratri” (“Dhe fretërit përsëri”), të botuar më 16/29 nëntor 1913, korrespondenti i kësaj gazete raportoi me notat më patetike, me gjykime dhe paragjykime, përçmime e urrejtje ndaj shqiptarëve dhe zhvillimeve në fshatin Kabash. Korrespondenti i Pijemont-it gjykonte se “arnauti është i destinuar të jetë një hajdut dhe vrasës”. Sipas raportit të tij, shqiptarët në gjashtë ditët e fundit kishin vrarë katër serbë në rrethin e Gjilanit. Fillimisht, më 4/17 nëntor 1913, në fshatin Kabash, një grup shqiptarësh të armatosur kishte sulmuar një njësit të xhandarmërisë serbe prej 3 pjesëtarësh, me ç’rast mbeti i vrarë njëri prej xhandarëve. Të njëjtën ditë, sipas raportit të korrespondentit të Pijemont-it “arnautët gjakatarë vranë dy serbë pas një prite në fshatin Letnicë”. Korrespondenti iu kërkonte autoriteteve përgjegjëse shtetërore serbe për t’i kushtuar vëmendje kësaj ngjarjeje dhe të gjitha shtëpive ku shqiptarët e armatosur gjenin strehim, sepse sipas tij “nuk është e drejtë që serbët edhe sot nën Serbi të jenë viktima të ekzekutuar nga arnautët”. Disa javë më pas, Pijemont i cilësoi veprimet e shqiptarëve si aktivitete të “arnautëve kriminelë”, ndërsa “të gjitha përpjekjet për kapjen e këtyre zuzarëve ishin të pasuksesshme”. Informacionet e paraqitura në gazetën beogradase pretendojnë që vrasjet e serbëve të portretizohen si viktima të shqiptarëve. Në raportin e Pijemont-it nuk shënohen shkaqet dhe arsyet e vrasjes së serbëve, por indirekt bëhet propagandë për vrasjen e shqiptarëve, duke mos paraqitur asnjë të dhënë mbi masat kundrejt tyre, që për autoritetet administrative ishin të pashmangshme. Në të njëjtën linjë arbitrariteti, historiografia serbe për ngjarjen e Kabashit shkruan: “Deri në fund të vitit 1913 është regjistruar edhe një tjetër incident serioz me të jashtëligjshmit (kryengritësit shqiptarë – F. R.), të cilët më 13 nëntor në fshatin Kabash të rrethit të Gjilanit, kanë vrarë xhandarin (policin), këshilltarin komunal dhe një fermer nga fshati Binçë. Pastaj njësia ushtarake rrethoi fshatin dhe gjatë luftimeve zuri fajtorët; artileria nuk është përdorur”. Rrjedhimisht, ngjarja kualifikohet si ndodhi e papritur, ku bëhet fjalë për një grup të organizuar dhe të armatosur pa vënë theksin në identitetin e tij kombëtar ose etnik. Gjithashtu, lihen mënjanë motivet e vrasjes së zyrtarëve dhe jozyrtarëve serbë, por nënkuptohet se autorët janë kapur dhe janë ndërmarrë operacione ndëshkuese, për të cilat nuk shpalosen detaje.

Kujtesa popullore shqiptare për masakrën në Kabash

Në përputhje me njëmendësinë e kujtesës popullore, të bazuar në provat e dëshmitarëve okularë, një grup kryengritësish shqiptarë, nën drejtimin e Rrustem Januz Kabashit (1891-1914), pasi kishte zbarkuar nga terreni malor në fshatin Kabash kishte rënë në sy të një xhandari serb, i cili pjesëtarëve të grupit u kërkoi të dorëzoheshin. Mirëpo, grupi kryengritës shqiptar nuk pranoi dorëzimin dhe rrjedhimisht shtiu me armë ndaj xhandarit serb, duke e lënë të vdekur atë dhe një serb tjetër. Përballë kësaj rrethane ultimative dhe me pasoja vdekjeprurëse, pa marrë parasysh alarmin dhe kërcënimin e menjëhershëm për ndëshkime fatale, shqiptarët e fshatit Kabash nuk pranuan t’i lëshonin shtëpitë e të arratiseshin, sepse kjo sjellje mund t’i bënte fajtorë për vrasjet. Në vijim, organet administrative serbe, veçanërisht ato ushtarake e të xhandarmërisë, madje edhe civilë të armatosur serbë, në mënyrë të papërmbajtur dhe në shenjë hakmarrjeje, gjatë mbrëmjes rrethuan tërë fshatin Kabash dhe në mëngjesin e ditës së nesërme arrestuan të gjithë meshkujt e moshës mbi 15-vjeçare. Më pas, të arrestuarit (54 veta e më shumë) i mbajtën të ngujuar dy ditë në një objekt në Viti. Në ditën e tretë i nisën në drejtim të Gjilanit, por në fakt me thika e bajoneta, pasi i plaçkitën i kishin masakruar e groposur në afërsi të fshatit Kllokot. Kësaj masakre i shpëtuan vetëm pesë të arrestuar.

Kujtesa popullore ka arritur të ruaj emrat e 44 të masakruarve. Ata ishin: Misin Salih Cenaj (52 v.), Murat Salih Cenaj (50 v.), Avdyl Salih Cenaj (34 v.), Hysen Jakup Cenaj (35 v.), Ibish Jakup Cenaj (52 v.), Isak Jakup Cenaj (31 v.), Agush Ahmet Cenaj (30 v.), Hamëz Nezir Cenaj (18 v.), Qerim Ali Cenaj (59 v.), Alush Ali Cenaj (26 v.), Hafiz Qerim Cenaj (22 v.), Halit Qerim Cenaj (20 v.), Azem Kamer Cenaj (48 v.), Sefedin Azem Cenaj (16 v.), Aziz Elez Cenaj (47 v.), Rexhep Çaush Veselaj (63 v.), Smajl Bajram Veselaj (60 v.), Bajram Smajl Veselaj (39 v.), Hamit Selman Veselaj (50 v.), Jashar Islam Muçaj (60 v.), Islam Jashar Muçaj (30 v.), Murtez Brahim Muçaj (52 v.), Hamdi Murtez Muçaj (17 v.), Kadri Brahim Muçaj (37 v.), Isuf Brahim Muçaj (22 v.), Qamil Osman Muçaj (18 v.), Zenel Rexhep Muçaj (40 v.), Hazir Shaban Muçaj (45 v.), Qazim Hazir Muçaj (20 v.), Shabi Sadik Muçaj (37 v.), Ramadan Kuklubeci (30 v.), Rrahim Sallah Trakalaçi (53 v.), Ali Sallah Trakalaçi (50 v.), Hebib Ali Trakalaçi (25 v.), Aziz Avdyl Trakalaçi (47 v.), Rrustem Veli Trakalaçi (47 v.), Faik Aziz Trakalaçi (19 v.), Abaz Sallah Trakalaçi (65 v.), Veli Abaz Trakalaçi (45 v.), Shaban Veli Trakalaçi (17 v.), Hysen Abaz Trakalaçi (18 v.), Misin Luzha (mysafir, fshati Mogillë), Shefki Qerimi (mysafir, fshati Ballancë), Tahir Musliu (mysafir, fshati Ballancë). Veç kësaj, vrasje, djegie fizike e masakra u shënuan edhe në fshat gjatë aksionit të arrestimit të shqiptarëve që rezistonin. Pasi u plaçkit i tërë fshati, veç dy shtëpive që i kishin shpëtuar flakëve të zjarrit, të gjitha të tjerat u dogjën, duke përfshirë plevicat e gardhiqet. Rrjedhimisht, në fshatin Kabash mund të soditeshin vetëm gërmadhat, ndërsa të

mbijetuarit, kryesisht gra e fëmijë, u shpërndanë nëpër vendbanime të tjera shqiptare të Moravës së Epërme. Argumenti se në Moravë të Epërme ekzistonte një veprimtari aktive e grupeve numerikisht të vogla dhe të armatosura klandestine shqiptare, nuk nënkuptonte qëllimin e tyre për të goditur popullatën civile dhe të paarmatosur serbe, por ato synonin mbrojtjen individuale, familjare dhe për aq sa ishte e mundur të lokaliteteve shqiptare në Moravë të Epërme. Përkundrazi, shteti serb e përdori si pretekst aktivitetin e tyre, për të kryer brutalitet e mizori ndaj popullsisë së pambrojtur dhe civile shqiptare.

Diplomatët austro-hungarezë dhe britanikë për masakrën në Kabash

Mizoritë mbi shqiptarët e fshatit Kabash nuk u lanë pa u hetuar dhe interpretuar nga përfaqësuesit e huaj diplomatikë të akredituar në qytetin e Shkupit. Në këtë qytet, ku ishin aktive konsullatat e Fuqive të Mëdha, përfaqësuesit e diplomacisë austro-hungareze dhe britanike i paraqitën eprorëve të tyre informacione, të cilat janë me interes për verifikimin e të vërtetës historike mbi plojën e Kabashit. Sipas burimeve të informimit, që konsullata e Përgjithshme austro-hungareze siguronte nga vatra e ngjarjes, i raportohej Vjenës zyrtare se në Kabash “gra e fëmijë qenë hedhë të gjallë në flakë nga ushtarët”, ndërsa “mizoritë e përmendura… serbe nuk janë akte të brutalitetit spontan…, por në të vërtetë kemi të bëjmë me një fushatë eliminimi ose shfarosjeje, të zhvilluar sikur duket me urdhër nga lart”. Burimet e saj konstatonin se në këtë masakër kishte marrë pjesë edhe kryetari i komunës së Vitisë. Konsullata britanike në Shkup, vrasjet ndaj serbëve i konsideronte si trillim, ndërsa “në rastin e Kabashit… banda (grupi i armatosur shqiptar – F. R.) në fakt ka qenë pjellë e imagjinatës serbe”. Ambasadori britanik në Beograd, Dayrell Crackanthorpe, konstatonte se fushata e trupave serbë ndaj popullsisë së pambrojtur “është karakterizuar nga egërsia më e madhe dhe kjo përtej çdo dyshimi”.

Duke analizuar dhe krahasuar me kujdes burimet e mësipërme, arrihet në konkluzionin se, në masakrën kundrejt shqiptarëve në Kabash pati lidhje koherente dhe një simetri paraprakisht të menduar e të konstruktuar serbe, duke përfshirë mekanizmat shtetërorë e qeveritarë, organet ushtarake, paraushtarake, administrative e propagandistike. Për konsekuencë, strategjia politike serbe kishte për qëllim shkatërrimin e hapësirës së domosdoshme jetësore të shqiptarëve, për të realizuar tri objektiva parësorë kundrejt tyre: serbizimin, spastrimin etnik ose shkatërrimin biologjik. Pra, synimi përfundimtar ishte formësimi i një fizionomie të re etno-gjeografike, me pamje e karakter të plotë serb.

You Might Also Like