OPINION

Mbresa pune dhe jete

IN MEMORIAM

Mbresa pune dhe jete

Mehmetali Rexhepi

NJAZI HOXHA (1960-2020)

Si duket për mua sot paska qenë njëra nga ditët e pikëlluara…Hapa facebook-un dhe pashë njoftimin mortor për dy kolegë të mijë që iu bashkuan amshimit: Qemajl Jakupi dhe Nijazi Hoxha!… Qemajli profesor i lëndës së Kimisë, ndërsa Nijaziu mësimdhënës i lëndëve Juridike në SHME “Marin Barleti” në Gjilan. Me Nijaziun kam punuar gjatë në shkollën e lart-cituar…

Ia kemi ngrënë bukën njëri-tjetrit në familjet tona… Unë isha më i moshuar se Nijaziu, ndaj respekti i Nijaziut ishte i pashmangshëm ndaj meje… Por, jo vetëm për shkak të moshës, edhe për shkaqe tjera… Nijaziu më respektonte e çmonte lart… Në çdo takim, qoftë të rastit, me Nijaziun nuk ngopeshim shkëmbime fjalësh, temash e motivesh të ndryshme… E di, ishte i etur për të biseduar bashkë dhe, sa herë që ka kërkuar të pinim kafe me të nuk jam larguar pa e pirë kafenë…

Ishte gjithnjë i prajshëm, gojë-ëmbël, i qetë, i pa imponueshëm, madje kishte dhe kulturë e njohuri të përgjithshme, pos përgatitjes profesionale për lëndët e Drejtësisë… Një kohë kishte ushtruar punë avokatie, mandej iu shmang avokatisë dhe iu kthye profesionit të ligjërimit në SHME “Marin Barleti”. Ishte i shkathët për përballimin e jetës materiale, kur Serbia e pezulloi fanancimin në gjuhën shqipe,jashtë programeve të imponuara dhe segregative të arsimimit dhe edukimit të shkollarëve tanë të rinj.

Shkuarja e Nijaziut është e hershme dhe, me përvojën e tij arsimore-edukative dhe profilin njerëzor, e varfëroi mjedisin tonë shkollor dhe shoqëror… Ai la pas një familje të edukuar dhe shkollare: qoftë gruan Fikreten, mësimdhënëse e lëndëve të lëmit të Drejtësisë, qoftë dy fëmijë të shkëlqyeshëm, të cilët janë në përfundimin e studimeve në Austri. I ndjeri fliste me krenari për fëmijët e tij, të dalluar në studime… Nijaziu doli nga një familje arsimdashëse, ngase babai i tij ishte arsimtar i përkushtuar dhe i nderuar… Gjithsesi arsimtari nuk kishte si mos të ushtronte ndikim për kahen edukative të birit dhe bijave të tij… I nderuari shok e mik: Nijazi Hoxha kujtimi Yt bëftë dritë!…

QEMAJL JAKUPI (1954-2020)

Shumëkush mund të pandeh se akti i vdekjes së personit të vdekur, ia abstragon të gjitha bëmat e papëlqyera, andaj vjen shprehja e hershme latine: vetëm mirë për të vdekurit. Aq sa e kam njohur dhe si e njoha unë, Qamajl Jakupin, ai njeri, ai shok e mik, ai koleg pune kishte vetëm cilësi të mira! Cilësitë e mira mbizotëronin karakterin e Qemajlit. Qemajli ishte mësimdhënës i lëndës së Kimisë, kur punonim në Gjimnazin e përgjithshëm “Zenel Hajdini” në Gjilan. Pas përvojës relativisht të gjatë në rrjedha të mësimdhënies dhe të edukimit, ai do të merrte një rol tjetër, po ashtu i lidhur më arsimin, por veprimtaria e tij lidhej kryesisht me çështje të mbikëqyrjes së procesit edukativ-arsimor në fushë të zbatimit të ligjshmërisë së mësimdhënies e të mësim-nxënies, të përshtatjes së dokumentacionit me metodologjinë e mësimdhënies, sipas reformimit të plan-programeve shkollore të nivelit përkatës.

E di për Qemajlin, se veprimtaria që kryente ai, ishte me plot kërkesa administrative, ndonjëherë tejet të ndërlikuara dhe vështirë të përballueshme për t`i kapur volumet e punës në Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Gjilanit… Qemajli, jo njëherë, më ishte ankuar për vështirësitë, por punët sado të lodhshme i kryente me përgjegjësi. Ai ishte kuadri që kishte përgjegjësi dhe respekt ndaj punës dhe kolegëve në çdo mjedis… Besoj, të gjithë ata që e kanë

njohur, pikërisht për të tillë e kanë çmuar. Të tilla shëmbëlltyra iu kanë dashur arsimimit tonë, karakterit dhe etikës sonë profesionale dhe edukative…

Asnjëherë, profesor Qemajl Jakupi, nuk ngurronte ta ndihmonte e këshillonte akëcilin koleg, kujdestar klase ose nxënës për problematikën që kishte të bënte me interesin e nxënësit, për nxënësit dhe shkollën…

Qamajl Jakupi arriti moshën e tretë pas pensionimit, mirëpo vdekja nuk i dha një mandat më të gjatë, të kënaqej me më të dashurit e vet, familjarë, miq e shokë… Ai la te të gjithë ata që e njohën një butësi njerëzore!…

Qoftë e pashuar drita e urtësisë të kolegut Qemajl Jakupi!

Gjilan, më 22 korrik 2020

You Might Also Like