Libri

MË ZGJO

Sabit Rrustemi

MË ZGJO

Dashurinë që lulëzon vonë
mund ta shkrumojë
një kthjelltësi e akullt nate
bryma e parë e një mëngjesi
që vjen me vjeshtë e pak borë
lëkurës sonë të murme si kjo tokë
apo dhe etja për t’u parë

Se vjen një stinë
rrudhen frutat
pikëlohen gjethet
faqet e asaj luleje skaj dritareje
shterren e bien në pikëditë
me përqafimin e parë të zjarrtë
të pathënat fjalë i mbulojnë

Nxihen dhe shtatëtblertat
ulin krahët
humbin drejtëpeshimin

Ngjyra e Verdhë si pëlhurë
shtrihet nëpër kurora malesh
mbulon dhe timen shtëpi

Vetminë stinore nuk e zbutë era
as shiu
as ajo Hënë tek shfaqet
e verdhë krejtë
te Roga e Verdhë

Si vjeshtë vjen
kjo pamje para syve të mi
nën peshën e fajit
për tënden mungesë

I a zgjas dorën
shuplakën time të pritjes
të mos lëndohet prej rrembave të malit
dhimbjeve të fjalëve që stepen
e grimcohen dhëmbëve

Ajo ndërron kahjen
shkurton shtegëtimin e përditshëm
kah jugu më shumë varet

Trembem prej të verdhës ngjyrë
si ai shpend Çepuri
pa adresë fluturoj

Bryma fle qepallave
ajo pikë uji bebëzave ngrihet
gjurma e hapave të harruar

Përmes një dritëze shprese
që gati u shua
veten kërkoj e s’di ku e gjej

Duke ecur si i përhumburi
natës që u zverdh nga pritja
në një cep kohe
me një grusht lotsh
e një shami puthjesh
krejt papritur shfaqet e dashura

Me mollëza kuqërreme
lehtas krahëve më prekë
më shkundë jermish

Më zgjo, më zgjo
i përgjërohem
më zgjo e lami sytë si në ëndërr
me një mal puthjesh
të të shoh sërish
nëpër secilën stinë
tek froni i zemërjetës

(27 tetor 2009 – 23 shkurt 2020)
_________________________

Fotografia: e huazuar nga Eva HILA

You Might Also Like