ARSIMI

Mësuesi që e hoqi Tito’n prej “Abaz Ajetit” nuk jeton ma!

Mesuesi Hetë (Hetem Arifi) ka qenë mësuesi jem i parë. E kam njoftë si 7-vjeçar dhe edhe mbas 28 vjete sa jetoi, kam mbajtë kontakte të vazhdueshme me te, ndonëse jo ma frik.

Kam me e kujtue tanë jetën si mësues të mirë, atdhetar të madh, shkrimtar, poet, publicist, actor teatrit…

Përpos këtyne, mësuesi Hetë ka dhanë kontribut të jashtëzakonshëm për manifestimin “Flaka e Janarit”, ndërkaq ka qenë i burgosun politik dhe i ka vuejt 9 vjet burg si i papërshtatshëm për regjimin.

E mbaj n’mend nji fakt interesant: ka qenë i pari njeri që në shkollën “Abaz Ajeti”, në klasën tem, e ka heq foton e Titos në vitin 1991, tuj e zavendesue me atë të Skënderbeut.

Ajo që ma vonë e kam kuptue (mbasi që u rrita), mësuesi Hetë qysh në vitet 90-ta na e kish pasë mësue mendimin kritik.

Kam shumë me shkrue për këtë njeri të jashtëzakonshëm të arsimit shqip, por në këte moment po e kam të vështirë.

Du me e përfundue këtë shkrim të vocërr me nji përkufizim epik të tij për mësuesit dembel:

“Nuk asht kriminel ai që e vret dikend sepse e ka pasë nji arsye. Krimineli ma i madh asht ai mësues që nxjerr shumë kriminela si pasojë e neglizhencës, e dembelisë dhe e mos punës me nxanës”.
Ngushëllime familjes Arifi, nxanësve e kolegëve.

Zoti t’pastë mëshirue arsimtar. Unë jam krenar me ty, qysh janë krenarë nxanësit e tu, Gilani e Anamorava!

/Ibrahim ADEMI/

(Foto e 7 marsit 2016, në ditën kur kryetari Luta e nderoi me mirënjohje për kontributin në shumë fusha)

You Might Also Like