Ekonomi

Mikro-bizneset gjilanase përfitojnë grante

Komuna e Gjilanit, në bashkëfinancim me organizatën gjermane “Help” ka nënshkruar sot kontratat me 46 mikro-biznese, përfitues të granteve, të cilët janë kryesisht zejtarë të Gjilanit, në kuadër të projektit “Mbështetje stabilitetit socio-ekonomik përmes fuqizimit të mikro-bizneseve në Kosovë – Parandalimi i Migracionit dhe Stabilizimi”.

“Kjo është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme për Gjilanin sepse iniciativa e Help-it në bashkëpunim Komunën dhe me përkrahjen e fuqishme të kryetarit Haziri, ka bërë të mundur që të përzgjidhen 46 përfitues, në mënyrë që bizneset e tyre të funksionojnë suksesshëm dhe kjo ndikon direkt në gjenerimin e vendeve të reja të punës. E falënderoj shumë koordinatoren e kësaj organizate për punën e madhe që e kanë bërë. Në emër të kryetarit Haziri i uroj suksese përfitueve”, ka thënë nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, në hapjen e kësaj ceremonie.

Shqipe Breznica, koordinatore e projektit të organizatës gjermane Help, ka falënderuar kryetarin Haziri për bashkëpunimin dhe zotimin e participimit të Komunës së Gjilanit.

“Projekti ka në fokus zhvillimin ekonomik, përmes përkrahjes së mikrobizneseve me grante në formë të pajisjeve në shumë prej 2 mijë eurosh. Nga 233 aplikacione, janë përzgjedhur 46 përfitues dhe mund të them që numri i granteve që ne japim është i vogël krahasuar me kërkesat. Por, besoj shumë që Komuna e Gjilanit do t’i marrë për bazë këtë. Ju informoj se deri në fund të vitit ne duhet të përfundojmë me shpërndarjen e pajisjeve. I uroj shumë suksese bizneseve përfituese”, ka deklaruar Berznica.

Drejtori për Zhvillim Ekonomik, Agim Zuzaku, ka shprehur falënderim për organizatën gjermane Help për bashkëpunim të mirë, duke shfaqur shpresën që “kjo energji të na përcjellë edhe më tutje, me projektet të ngjashme të cilat po ndihmojnë në rritjen dhe zhvillimin ekonomik lokal”.

Projekti financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme Gjermane, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e Republikës së Kosovës dhe me participim të Komunës së Gjilanit.

You Might Also Like