OPINION

Ministrat me aktakuza duhet të ndjekin shembullin e Aganit

Ngritja e aktakuzave ndaj qeveritarëve, është shenjë e mirë në një shtet demokratik, por kjo nuk mund të thuhet edhe për Kosovën, ku drejtësia ndikohet nga politika, në një mënyrë, ose tjetrën dhe ku ministrat nuk tërhiqen nga postet e tyre as kur ndaj tyre zyrtarizohen aktakuzat.

 XHYLIJE IBRAHIMI

Në Kosovë, sot kemi politikanë që kanë lënë pozitat ministrore për shkak të akuzave ndaj tyre dhe, në të njëjtën kohë, kemi edhe politikanë që me akuza të ngritura rrinë në qeveri. Jemi dëshmitarë se procedurat ndaj disa politikanëve kryhen më shpejt e ndaj disa të tjerëve zvarriten me vite. A quhet kjo “barabarësi para ligjit”? Thuhet se drejtësia e vonuar, nuk është drejtësi.

Këtyre ditëve kemi parë aktakuza të reja në Kosovë ndaj zyrtarëve të lartë qeveritarë. Ngritja e aktakuzave ndaj qeveritarëve, është shenjë e mirë në një shtet demokratik, por kjo nuk mund të thuhet edhe për Kosovën, ku drejtësia ndikohet nga politika, në një mënyrë, ose tjetrën.

A nuk e thanë disa ditë më herët vetë krerët më të lartë të shtetit, se po të ishin anëtarë të subjekteve të tyre ata që vihen nën akuza, do t`i shkarkonin menjëherë. Po ata heshtën dhe po vazhdojnë të heshtin në rastin e ngritjes së aktakuzave ndaj disa anëtarëve të kabinetit qeveritar, vetëm disa ditë pas këtyre deklaratave të famshme. Të paktën të kishin heshtur.

Nëpër Komuna, edhe shërbyesit civilë të cilët gjendën nën një akuzë të prokurorisë, pezullohen nga puna me gjysmë pagese deri në përfundimin e procedurës. E, pse kjo të mos zbatohet edhe në rastin e zyrtarëve të lartë të qeverisë. Organet e drejtësisë, Prokuroria ose Gjykata, duhet t`ua kërkojnë këtë masë autoriteteve shtetërore në rastet kur ndaj cilitdo anëtar të qeverisë ose të parlamentit ngritët zyrtarisht një aktakuzë. Në shtetet demokratike, ku sundon ligji e ku drejtësia ndahet në mënyrë të paanshme, ngritja e një aktakuze duhet të jetë e bazuar fuqishëm në fakte dhe argumente. Në Kosovë, kjo lë për të dëshiruar.

Publicisti Adriatik Kelmendi e ngriti me të drejtë çështjen e moralit dhe sinqeritetit në politikë. Vetë ministrat, pa pritur një vendim qeverie, duhet të tërhiqen nga pozitat që mbajnë derisa të mos përfundojë procedura gjyqësore ndaj tyre, për t`i hapur rrugë drejtësisë ta bëjë punën e saj, pa qenë e ndikuar, qoftë edhe në mënyrë të tërthortë, nga politika.

Rasti i ish-ministrit Ferid Agani është një shembull që meriton respekt për shkak të asaj që quhet “moral politik” dhe që duhet ndjekur edhe nga të tjerët.

Por, zvarritja e procedurës lë për të dyshuar në ndikime politike në këtë proces. Një të dyshuari, aq më tepër kur është zyrtar i lartë qeveritar, duhet t`i jepet pafajësia, ose t`i shqiptohet dënimi, në një afat të arsyeshëm kohor dhe jo pas tri apo edhe më shumë viteve. Kësisoj, dikujt mund t`i kalojë mandati pa arritur ta dëshmojë pafajësinë dhe ta fitojë të drejtën e rikthimit në pozitë, qoftë edhe vetëm formalisht, si akt moral, ndërsa dikujt tjetër, duke e zvarritur procedurën, qoftë edhe pa dashje, i mundësohet të përfundojë mandatin i pa gjykuar.

T`ia rikthesh dikujt pafajësinë pas 3-4 vitesh, apo edhe më vonë, nuk është drejtësi e mirëfilltë. Më së paku mund të quhet drejtësi e ndikuar.

Sinqeriteti sikur ky i Ferid Aganit, pavarësisht dyshimit që rëndon mbi të, është virtyt i njerëzve me dinjitet dhe integritet personal, është vlerë e njerëzve me kulturë institucionale, politike e qytetare. Për fat të keq, ministri Ferid Agani mbetet rasti i vetmuar në skenën politike të Kosovës, i cili vullnetarisht vihet në shërbim të drejtësisë pa petkun e pushtetarit. Disa të tjerë, ndërkaq nuk i lëshojnë postet edhe pse ndaj tyre janë konfirmuar aktakuzat.

………………………………………

(Autorja është master për diplomaci dhe marrëdhënie ndërkombëtare)

You Might Also Like