Gjilan

Miratohen ndryshimet dhe plotësimet në statutin e Komunës

Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) ka miratuar të martën plotësimet dhe ndryshimet në statutin e Komunës, propozim-vendimin për këmbimin e pronës komunale me pronën private për nevoja të rrugës “Jugu I”, propozim-vendimin për shpalljen e interesit të përgjithshëm në disa prona shoqërore, të cilat administrohen nga AKP, planin e veprimit për përmirësimin e shërbimeve dhe punës në edukimin parashkollor, propozim-projektin për manifestimin “Flaka e Janarit 2017”, propozim-vendimin për themelimin e grupit punues për hartimin e planit vjetor të punës të Kuvendit të Komunës për vitin 2017 si dhe propozim-vendimin për miratimin e planit rregullues “Qendra 4” dhe i ka rekomanduar për Kuvend Komunal.

Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se të gjitha këto pika janë shqyrtuar në komitetet përkatëse, para se të rekomandohen në Komitetin për Politikë dhe Financa, ndërkohë që do të diskutohen gjerësisht edhe në seancën e Kuvendit, javën e ardhshme.

Sa i përket ndryshimeve dhe plotësimeve në Statutin e Komunës, që si nismë e kryetarit të Komunës, është përkrahur edhe në Kuvend Komunal, ajo ka thënë se të gjitha grupimet politike jemi pajtuar që në kuadër të ekzekutivit të rikthehen dy drejtoritë e mëhershme, Kultura, Rinia e Sporti dhe Inspekcioni.

Ndërkaq, sa i përket grupit punues për hartimin e planit të punës së Kuvendit Komunal për vitin 2017, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë se u mbetet subjekteve politike që përfaqësohen në vendimmarrjen komunale që ndërkohë t`i dërgojnë propozimet e tyre.

Propozim-projekti për manifestimin “Flaka e Janarit 2017” është miratuar me vërejtjen e Arben Maliqit (LDK), i cili ka kërkuar që në program të përfshihen edhe aktivitete sportive.

You Might Also Like