Sportet me dorë

Mitat Ferati një jetë e tërë me hendbollin

Ka 25 vite që ka lënë vendlindjen, por ai me mendje e shpirt është me të, kurse që kur ishte larguar nga Gjilani më 1991, Mitat Ferati ashtu si në vendlindje edhe jashtë në Zvicër vazhdoi të jetojë me hendbollin, sport që gjithnjë e ka pasur në zemër.

Mitat Feratin e gëzojnë sukseset e Klubit të Hendbollit Drita, ai rregullisht përcjell çdo lojë të tyre, i gëzohet çdo fitoreje, sikurse që beson se sivjet klubi i tij i zemrës do të prek arenën ndërkombëtare. Mitati, pos si ish-lojtar e tashti edhe si trajner, njihet edhe si dashamir i hendbollit, andaj shpesh e ndihmon hendbollin në Kosovë, siç është rasti me KH Drita, të cilën e ka ndihmuar disa herë.

Mitat Ferati, qysh i ri karrierën e kishte nisur në stinorin 1985/1986 në ish-klubin gjilanas KH Bozhur dhe aty luajti deri në pavarësimin e sportit kosovar. Pikërisht, në këto vite të vështira për popullin shqiptar në Kosovë, si shumë të rinj kosovarë edhe Mitati në kërkim të një jete më të mirë e lëshoi vendlindjen dhe u vendos në Zvicër, ku aty vazhdoi karrierën. Fillimisht u angazhua në Klubin e Hnedbollit BSV Luzern e më pas edhe në HC Rothenburg deri në vitin 1996.

Një vit më pas nisi zejen e trajnerit në klubin BSV RW Sursee me kadetë të moshës U15, U17 dhe juniorët U19 dhe falë punës së palodhshme e arriti Elite Ligen në Zvicër. Ai u sprovua edhe me ekipin e vajzave, duke ushtruar ekipin U18 dhe puna e palodhshme, me përkushtim dhe tejet profesionale u ra në sy drejtuesëve të klubit, andaj ia dhanë besimin që të ushtrojë ekipin e parë të femrave BSV Sursee dhe ia doli që shumë shpejt këtë ekip t’a ngrit në Ligën e Dytë të Zvicrës. Për tetë vite, gjilanasi Mitat Ferati ushtroi edhe kadetët e Zvicrës qëndreore, grupmoshat deri në 17 vjeç dhe dy herë ishte bërë kampion i Zvicrës, kurse dy herë kishte qenë nënkampion. Krejt kjo bëri që të emrohet trajner në ekipin me renome të Zvicrës në grupmoshat elite U15 dhe për dy vite ka zënë vendin e parë dhe medaljen e artë, sikurse që një herë zuri vendin e tretë dhe fitoi medaljen e bronztë.

Ai për një vit ka ushtruar edhe vajzat elite U19, të klubit LK Zug, derisa me ekipin e femrave STV Willisau është bërë kampion dhe janë ngritur në Ligën e Dytë Nacionale.

Mitat Ferati për pesë vite ka qenë gjyqtar hendbolli. Mitati beson në hendbollin kosovar dhe sipas tij me punë më profesionale hendbolli kosovar do të mund të arrinte namin që e kishte dikur e gjithësesi se edhe Mitati është i gatshëm që kurdo që kërkohet prej tij të jap kontrbutin në këtë drejtim.

You Might Also Like