Trashëgimi

Mulliri i Zylbeharit në Laç të Hani Elezit

dini  Shkruan: Sherafedin Kadriu, QRTK-Gjilan

Mulliri ka këtë emërtim për faktin se ka qenë pronë e Zylbehar Laçit, babait të Remzi dhe Rufki Laçit, fëmijët e të cilëve sot janë pronarë të mullirit. Mjeshtër për murimin e mullirit ishte Nuhi Laçi, familjar i Zylbeharit.

Ujin e merr nga lumthi i Laçit, i cli është i rrëmbyer se zbret nga lartësitë kodrinore. Jazi ka një gjatësi rreth 400 metra, ndërsa lugu i mullirit ka një gjatësi prej 7 metrash.

Mulliri është ndërtuar me gurë të madhësive të ndryshme dhe hatullat si elementë konstruktivë. Për material lidhës është përdorur llaçi i baltës. Një dritare të vogël e ka në murin jugor dhe një tjetër në murin lindor, andej kah është hyrja. Te dy këto dritare nuk është se mund ta dritësojnë sa duhet brendësinë e mullirit, por sot nuk mund të thuhet më shumë sepse kulmi me teneqe është pa tavan, prandaj dukja nuk paraqet problem. Kulmi është dyujës, dikur i mbuluar me qeramidhe. Dyshemeja është tokë e zakonshme.

Gurët për blojë, dy prej tyre, i kanë sjellë nga Runjeva, një fshat i komunës së Kaçanikut,  ndërsa dy të tjerë i ka punuar vetë pronari i parë, Zylbehari. Gurët nga Runjeva, në të vërtetë, besohet shumë se janë blerë në Mitrovicë, nga familja e Isë Boletinit, e cila merrej me këtë zeje.

Pjesët prej druri të mullirit janë punuar për herën e dytë nga i biri i Zylbeharit, Remziu, i cili ka vdekur në moshën 78 vjeçare, në vitin 2014.  Mulliri ka punuar deri pak pas luftës së vitit 1998/99.

You Might Also Like