ARSIMI

Nasuf Isufi – ishte arsimtari që e ndihmoi shkollën kombëtare shqipe

Nasuf Isusfi është i lindur më 1936 në fshatin Zhegër, komuna e Gjilanit. Ishte nga një familje me traditë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, Zhegër, ndërsa shkolën e mesme (ekonomike), ai e mbaroi në Gjilan. Por, nuk qe i kënaqur vetëm me këtë shkollë profesionale.Më vonë, kreu edhe shkollën ish- Normale “Skënderbeu”, në Gjilan. Thonë, këtë shkollë e kreu me sukses të merituar. Përherë të parë Nasufi e mori ditarin në dorë në fshatin Vaksincë, më 1960. E adhuroi punën me shkollarë të rinj. Sikur kjo “punë” e shenjtë atij i pëlqeu dhe lënda “muzikore” i ra në “takt” për ta dashur tërë jetën.

Mandej, Nasuf Isufin e shohim më vonë duke punuar si arsimtar në fshatin Shurdhan të Malësisë së Karadakut. Këtu ai punoi jo vetëm si arsimtar, por edhe si drejtor shkolle, në vitin 1962. Pas kësaj kohe, ai do të kthehet në Zhegër. Këtu në Zhegër, Nasuf Isufi e fillon punën si arsimtar i kulturës muzikore. Këtë lëndë ai e ligjëroi gjers sa pensionohet, më 1967. Edhe pas kësaj kohe, ai nga arti i muzikës asnjëherë nuk është ndarë.

Dhe, sikur arti muzikor i arsimtarit Nasuf e pushtoi në shpirt e në zemër. Ai edhe në orë mësimore ishte përherë i përgaditur me ndonjë vegël muzikore. Edhe mësimin e ligjëroi së bashku me ato instrumente muzikore që i binte, si mandolinës, violinës, kitares, harmonikës etj. La gjurmë në lëndën e artit muzikor. Shih për këtë, ai nuk pati manifestim në shkollë pa organizimin e tij kulturor. Ishte njeri energjik dhe i palodhshëm. Tërë “yndyrën” e punës ia fali shkollës shqipe.

Edhe autori i këtyre radhëve e pati arsimtar. Ai ishte njeri që tërë ditën punoi në shkollë, vetëm e vetëm për ta madhëruar jetën shkollore. Qe themeltar dhe udhëheqës i parë i Ansamblit “Idriz Seferi” në Zhegër, më 1970. Dhe, atë kohë, kur Ansambli i fshatit Zhegër kremtoi 15-vjetorin e themelimit, Nasuf Isufi ishte zë i parë i themelimit të tij. Kjo ishte e arritura e tij në fushën e kulturës së fshatit të kësaj kohe. Ai punoi pa u ndalë kudo që e kërkoi puna. Mori pjesë edhe në skenën teatrale. Pos që ishte adhurues i madh i artit muzikor, ai ishte edhe një “aktor” i skenave teatrale.

Me fjalë të tjera, ai pati talent të rrallë për t’i rënë instumenteve muzikore. Pa këtë arsimdashës, shkolla ishte një institucion i “thatë” në çdo fushë të jetës shkollore. Nasuf Isufi ishte organizator i madh i shumë manifestimeve kulturore në shkollë dhe jashta saj. Po ashtu, ai ishte shumë i afërt me njerëz. E deshën shkollarët, por edhe ai i deshi shumë të rinjtë shkollarë punëtorë. Në kohën e organeve të dhunshme, ai shtëpinë e vet e liroi për paralelet e gjimnazit të këtij lokaliteti.

Shih për këtë, barbarët serbë, Nasufit ia djegin shtëpinë në tërësi, gjatë vitit 1999. Ia djegin edhe lokalet ku ditarët e punës u shpërndanin nga shtëpia e t ij. Pra, shtëpia e tij ishte një “zure e arsimtarëve” e një kohe okupuese serbe. Nasuf Isufi ishte njeri qe e ndihmoi shkollën kombëtare shqipe. Vdiq më 19 tetor të vitit2013 në Zhegër./Tefik Selimi

You Might Also Like