Sportet me dorë

Me ndarjen nga jeta të Agim Shkodrës, hendbolli mbeti pa një ish-sportist të shquar, një trajner të dalluar dhe një njeri të respektuar

Telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Agim Shkodrës

E nderuara familje Shkodra, të nderuar struktura drejtuese të KH Dritës, tifozë dhe lojtarë,

Me dhimbje dhe pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të ikonës së hendbollit gjilanas, Agim Shkodra.

Sporti ynë, përkatësisht hendbolli, mbeti pa një ish sportist të shquar, një trajner të dalluar dhe një njeri të respektuar që dha kontribut të çmuar për avancimin e hendbollit jo vetëm gjilanas.

Ndarja e hershme e tij nga jeta (mosha 59-vjeçare), pas një sëmundje të shkurtër, do të lë mangësi të mëdha tek brezat e rinj, për të cilët ishte idhull se si me punë dhe përkushtim arrihet deri tek suksesi.

Si portier, përkatësisht lojtar, Shkodra karrierën e filloi në skuadrën Bozhuri nga Gjilani, vazhdoi te Buduçnosti nga Peja, ku ishte edhe në studime, në klubin Kosova të Vushtrrisë, kurse karrierën e përmbylli në KH Drita të Gjilanit.

Kontributi i tij i madh ishte sidomos në vitet 1991-99, kur u pavarësua sporti kosovar. Pas luftës si trajner me sukses udhëhoqi skuadrën e Dritës (femrat dhe meshkujt), pastaj KHF Kosovën e KHF Prishtinën, kur Prishtina ishte pjesë e garave ndërkombëtare. Ka drejtuar edhe klubin Zhegra. I ndjeri ishte edhe përzgjedhës i grupmoshave të reja në konkurrencën e meshkujve ashtu edhe të femrave.

Në emër të Lidhjes Rajonale të Futbollit në Gjilan, Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, si dhe gjithë komunitetit sportiv në Komunën e Gjilanit shpreh ngushëllimet më të sinqerta, familjes së tij, klubit të KH Dritës, miqve dhe gjithë dashamirësve të sportit.

Me nderime
Malazog Hoxha, kryetar i LRFGJ-së

You Might Also Like