Gjilan

Në Bresalc u investuan mbi 300 mijë euro

Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, është mbajtur mbrëmë debati publik me banorët e Bresalcit, për t’i dëgjuar kërkesat e hallet e tyre.

Takimin e ka hapur kryetari i Këshillit të fshatit, Haxhi Kurti, i cili tha se që nga paslufta Bresalci ka qenë i anashkaluar sa u përket investimeve, duke shtuar se nën qeverisjen e kryetarit Haziri, gjërat kanë ndryshuar dukshëm.

“Për tri vite janë ndërtuar më shumë se 4 kilometra asfalt, mbi 10 kilometra kanalizim, është investuar shumë edhe në ndriçimin publik. Shpresojmë se me këtë ritëm do të vazhdohet”, ka thënë Kurti.

Ndërkaq, nënkryetari Rexhep Kadriu është shprehur se qëllimi i këtyre takimeve që po bëhen nën përkujdesjen e kryetarit Haziri është që t’i marrim drejtpërdrejt kërkesat, me synim të ngritjes së mirëqenies së qytetarëve, duke filluar nga infrastruktura.

“Bresalci është njëri nga fshatrat që është në përkujdesje të vazhdueshme të qeverisë Haziri sa u përket investimeve. E kemi bërë një zyre jashtëzakonisht të mirë, kemi bërë punë të jashtëzakonshme kryesisht në infrastrukturën nëntokësore që kapin shifrën e mbi 300 mijë eurove, kemi ndërtuar shumë rrugë…Këtu kemi ardhur që t’i marrim të gjitha kërkesat tuaja në mënyrë që t’i fusim në prioritet. Zotim i kryetarit është që Bresalcit t’ia kthej dinjitetin”, ka deklaruar para qytetarëve nënkryetari Kadriu.

Me pyetje e kërkesa janë paraqitur Habib Syla, Makfire Kurti, Ymer Muji, Bardhyl Syla, Muhamet Ymeri, Gafurr Syla etj., të cilat kryesisht kishin të bënin me ato infrastrukturore, ndërkaq u është përgjigjur nënkryetari Kadriu, drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, ai i Shërbimeve Publike, Naser Korça, drejtori i Shëndetësisë, Nexhat Hajrullaru, i Kadastrit, Sadudin Berisha dhe drejtori i DZHE-së, Agim Zuzaku.

Në fund të debatit, përfaqësuesit komunalë kanë paralajmëruar se shkolla e këtij fshati në verën e vitit 2017 do të hyjë në renovim total

You Might Also Like