ARSIMI, Gjilan

Në ditën e shkollës çmohet puna që po bëhet në Gjimnazin “Xhavit Ahmeti”

Gjimnazi “Xhavit Ahmeti” ka shënuar Ditën e Shkollës me aktivitete të shumta, kurse manifestimi qendror është mbajtur këtë të martë, që përkon edhe me datëlindjen e dr. Xhavit Ahmetiti, emër të cilin me plot krenari e mban ky tempull i diturisë.

Fillimisht me një fjalë rasti është paraqitur drejtori i shkollës, Bekim Mustafa, i cili ka theksuar se Gjimnazi “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, tubon nxënësit më të dalluar që i ka Gjilani, sikurse që ka një elitë profesorësh. Nga kjo vatër e diturisë kanë dalë nxënës të shkëlqyer dhe kjo shkollë është krenaria e Gjilanit. Kryesuesja e Asamblesë Komunale të Gjilanit, Valentina Bunjaku – Rexhepi dhe ushtruesja e detyrës së Drejtoreshës për Arsim në Komunën e Gjilanit, Shqipe Haziri, kanë çmuar lart punën që bëhet në këtë shkollë, e cila gjithherë ka treguar rezultate të lakmueshme, sikurse që evokime për dr. Xhavit Ahmetin ka shpalosur edhe një nga miqtë e tij të ngushtë dhe bashkudhëtar në veprimtarinë politike, dr. Fatmir Sejdiu, ish- president i Kosovës. Ish- presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka theksuar se Xhavit Ahmetin e kishte njohur që nga rinia dhe se me të kishin bashkërrugëtuar në ndërtimin e shtetësisë së Kosovës, që nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta. Ai kishte tipare të veçanta të një burri, i qartë, i dishëm, i patrembshëm e i pakomplekse. I dashur për studentë, një kimist i përkryer që kishte hyrë në analet e kimistëve botërorë. Ai ishte bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit Ibrahim Rugova. “Për Xhavit Ahmetin nuk kishte ndasi, Anamorava ishte Llap, Drenicë, Dukagjin ishte e tërë Kosova”, tha ish-presidenti Fatmir Sejdiu, që ka shtuar se ai deri në vdekje dëshmoi se si duhet dashur vendin dhe si duhet punuar për të.

Nga familjarët ka folur ka folur djali i Xhavit Ahmetit, i cili tha se prindi i tij ishte i përkushtuar ndaj arsimit, ishte i palodhshëm në punën e tij, andaj pasardhësit e tij i gëzohen suksesit të cdo nxënësi të gjimnazit, të kësaj shkolle që mban emrin Xhavit Ahmeti. Familjes Ahmeti i është dhuruar një fotografi artistike me objektin e shkollës dhe portretin e veprimtarit emrin e të cilit e mbanë shkolla jonë.

Fillimisht nga kori i shkollës është intonuar Himni i Flamurit dhe Himni i Kosovës, nën dirigjimin e profesorit të kulturës muzikore Qazim Kryeziu.

Në manifestim u tha se gjimnazi me shumë krenari mbanë emrin e intelektualit, profesorit, liridashësit e arsimdashësit, Xhavit Ahmeti, i cili me punën e tij të palodhshme, arsimore, shkencore dhe angazhimin  politik, bëri që emri i tij të skalitet krahas shumë emrave tjerë, që i hapën rrugë lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Në pjesën artistike që është përgatitur nga nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës sonë, programi është hapur me  poezinë kushtuar,  dr. Xhavit Ahmetit, shkruar nga nxënësja jonë Fatlinda Basha,  e cila edhe lexoi poezinë. Më pas poezinë e bohemit, Pano Taçi,  “Ah moj Demokraci” e  interpretoi  nxënësja, Flaka Latifi. Në vazhdim të programit janë dëgjuar  disa pika muzikore, një pikë instrumentale dhe dy valle.

“Pranverë në Prishtinë” ishte kënga që hapi këtë pjesë,  kënduar nga Djellza Dema dhe më pas nga Fjolla Murtezi dëgjuam edhe instrumentalin – Flauta “Marshi Turk”.

Në vazhdim pati dy këngë të tjera, së pari kënga “Rruga e zemrës”  kënduar nga Era Osmani e Gëzim Isufi dhe orkestruar nga Lirak Rushiti  si dhe kënga tjetër, “ Mora fjalë” e cila u këndua nga  Albina Azemi, Qëndresa Isufi dhe Djellza Dema, orkestruar nga prof. Qazim Kryeziu

Programi ka vazhduar me vallen “Tiranasja”,  më pas dëgjuam edhe këngën “Valsi i lumturisë”, kënduar nga Albinë Azemi. Një valle me fyell ka mbyllur programin.

Programi është pëlqyer nga të pranishmit.

 

 

 

You Might Also Like