ARSIMI

Në ditën e shkollës, zëvendësdrejtori dr. Agim Asllani i dhuron Gjimnazit dy mikroskopë

Në Ditën e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, zëvendësdrejtori i Gjimnazit, dr. Agim Asllani, i ka dhuruar shkollës  dy mikroskopë me pjesë ndihmëse. Këto pajisje do t’a pasurojnë edhe më tepër kabinetin e biologjisë, i cili ka vite që ekziston në këtë shkollë.

Drejtori i Shkollës, Bekim Mustafa e ka çmuar shumë lart këtë vepër të zëvendësdrejtorit Agim Asllani, i cili po dëshmon se është i përkushtuar në punën që e bënë në shkollë.

“Ky është një gjest i vullnetit të mirë të kolegut tonë, i cili në Ditën e Shkollës ka shprehur dëshirën që të pasurojë me mjete kabinetin e biologjisë”, ka thënë drejtori Bekim Mustafa.

Agim Asllani, zëvendësdrejtor i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, ka theksuar se duke parë nevojën e madhe që kanë nxënësit e shkollës sonë për pajisje për laboratorë dhe duke parë dëshirën e madhe dhe vullnetin e nxënësve për të nxënë dituri, ka vendosur që këto pajisje t’ia dhurojë nxënësve, gjegjësisht shkollës, në ditën më të gëzueshme të saj, në Ditën e Shkollës.

Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” ditën e shkollës 25 tetorin, zakonisht e shënon me program të pasur kulturor e artistik, ku edhe përmblidhen të arriturat në këtë shkollë, kurse ajo sivjet është shënuar më ndryshe, shkaku i pandemisë.

You Might Also Like