LAJME

Në Gjilan mbahet tryezë diskutimi dhe ekspozitë kushtuar 8 Marsit

Gjilan, 8 mars 2018 – Me organizim të Kuvendit të Komunës së Gjilanit, në bashkëpunim me OSBE-në, sot është mbajtur tryezë për rolin dhe kontributin e grave gjatë luftës, lirisë, pavarësisë, çlirimit dhe ndërtimit të shtetit demokratik të Republikës së Kosovës nëpër vite, por edhe sakrificën që kanë bërë gratë si shtyllë e familjes dhe e të gjitha proceseve vendimtare njëkohësisht.

Në këtë tryezë kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Shpresa Kurteshi-Emini, njëherit edhe kryesuese e këtij takimi, ka thënë se kontributi i grave tradicionalisht në Kosovë është i lidhur ngushtë me burrat në të gjitha proceset shtetformuese dhe shtetndërtuese.

Në këtë takim me kumtesa të shumta janë paraqitur referues për të vënë në pah kontributin e madh që gratë dhe femrat në përgjithësi kanë dhënë nëpër faza të ndryshme të historisë së popullit shqiptarë që nga mbretëresha Teutë e deri në pjesëmarrjen e grave në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjithashtu, në këtë tryezë është përmbledhur pjesa historike, arsimi, shëndetësia, humanizmi, integrimi dhe fusha të shumta ku gratë kanë udhëhequr procese dhe kanë marrë përgjegjësi të mëdha njëkohësisht duke treguar suksese të shumta dhe vendimtare për Kosovën dhe rrugën e ndërtimit të shtetit demokratik.

Me referimet e tyre janë paraqitur për fusha të ndryshme, Xhylishene Berisha, Drita Maliqi, Vjollca Gagica-Matoshi, Naim Musliu, Shukrie Rapuca, Linda Kallaba dhe Ajtene Shahiqi.

Ndryshe, gjatë ditës është bërë edhe hapja e ekspozitës me fotografi të grave gjilanase në procese të ndryshme politike, humanitare dhe shtetërore.

You Might Also Like