Gjilan

Në Gjilan nisin manifestimet për “Flakën e Janarit 2017”

Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka nisur sot manifestimi tradicional, shumëkulturor e mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2017”, i cili po mbahet për herë të 26-të në nderim të dëshmorëve, heronjve e martirëve të rënë për lirinë e Kosovës.

Fillimisht, kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Valentina Bunjaku Rexhepi, e shoqëruar nga nënkryetari Rexhep Kadriu me bashkëpunëtorë, ka vizituar kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku janë pritur nga komandanti i Batalionitë të parë të BRSH-së, Haki Xhemajli, për të vazhduar më pas me homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe te lapidarët në qytet.

Gjatë adresimit para gazetarëve, kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Valentina Bunjaku Rexhepi, ka thënë se janari është i shenjtë për të gjithë shqiptarët, sepse pikërisht me rëniet heroike në janar, ka nisur rruga e gjatë dhe e mundimshme e lirisë së Kosovës.

“Me anë të këtij manifestimi ne i nderojmë përmes vlerave kulturore të gjithë ata burra e gra që dhanë gjënë më të shtrenjtë, jetën, që ne sot të jetojmë të lirë, të festojmë të lirë, të këndojmë të lirë, të kemi institucionet tona që frymojnë shqip. Përmes aktiviteteve të shumëta, gjatë këtij muaji ne nderojmë Rexhep Malën, Nuhi Berishën, vëllezërit Gërvalla e Kadri Zekën etj., ndërsa kësaj radhe ia kemi dedikuar kryengritësit më të madh shqiptarë, Idriz Seferi”, ka thënë Bunjaku Rexhepi.

Ndërkohë, gjatë ditës udhëheqësit komunalë presin në takim falënderimi familjet e dëshmorëve, ndërkaq në ora 17:00 bëhet ndezja e “Flakadanit”, i cili do të qëndroj i ndezur deri në përfundim të manifestimit, në shënim të flakës që iu dha lirisë së Kosovës.

 

You Might Also Like