Libri

NË SHËRBIM TË KOMBIT PËRMES GAZETARISË

Sabit RRUSTEMI
NË SHËRBIM TË KOMBIT PËRMES GAZETARISË

( Pak fjalë për autorin Miftar Dragidella dhe librin e tij “Në kohët e kthesave të mëdha”, botuar kohë më parë nga Shtëpia Botuese “Beqir Musliu” )

Miftar Dragidella, në fushën e informimit publik nis e angazhohet që nga fillimi i viteve tetëdhjeta të shekullit të kaluar e këndej. Gati katër dekada nga ajo kohë kur po përmbyllej një shekull – shekulli njëzet dhe, po niste një shekull i ri, shekulli njëzetënjë.
Në këtë rrugëtim gati dyzetvjeçar, për gati një decenie e gjysmë, Miftar Dragidella do të jetë pjesë e informimit publik në Kosovë, përkatësisht në Klinë, si gazetar i “Rilindjes” , duke bashkëpunuar dhe me revista tjera të kohës, që dilnin në Koosovë.
Më pas, nga viti 1993, kur mësynë Gjermaninë, si shumë shqiptarë të tjerë të Kosovës, ngase dhuna politike e pushtetmbajtësve serbë po sforocohej dhe, njerëzit po përballeshin me sfidën e mbijetesës, Miftar Dragidella, mjeshtrinë einformimit do ta vazhdojë në kushte dhe rrethana të tjera, ku mërgata shqiptare e Kosovës, po organizohej dhe , me një unitet të pashembullt po vëhej në shërbim të çlirimit të Kosovës dhe, pavarësisë së saj.
Me themelimin e të përditshmes “Bota sot” që dilte në disa shtete të Perëndimit, Miftari do të bëhej pjesë e angazhimit të ëprditshëm, duke u vu në shërbim të informimit dhe senzibilizimit të mërgatës sonë në Perëndim, në funksion të misionit të çlirimit nga shtypja serbe.
Njëkohësisht, ai do jetë dhe pjesë e veprimit në sforcimin organizativ të Lidhjes demokratike të Kosovës në Gjermani, duke kontribuar në forma të ndryshme , për vite e vite, që përmes saj të ndihmone realizimin e vizionit rugovian për liri, pavarësi e demokraci.
Krahas këtyre angazhimeve, Miftari nuk do t’i harronte as përpushjet letrare, të cilat do të rezultojnë me sjelljen e dy librave. Por, prurja më serioze e tij nga fusha e gazetarisë do të jetë libri monografik për kolonel Tahir Zemajn, me titull, “Madhështitë e kolonelit” botuar vite më parë ….
I nxitur natyrshëm nga suksesi i këtij botimi, Miftar Dragidella, përpos angazhimeve ditore në fushën e informimit po dhe të sportit, do nis dhe një projekt tjetër letrar, kompletimin e intervistave më bashkëbisedues fushash të ndryshme, me të cilët kishte qarë hallet nëpër faqet e të përditshmes “Bota sot”, po, edhe të revistës “Kosovarja”, botimi i jashtëm. Po, edhe në ndonjë periodik të shkurtër sporti, si një vokacion i pandashëm i tij, që nga rinia e këndej.
Këto dhjetëra e dhjetëra intervistime, tashmë do të kornizohen nën titullin “Në kohën e kthesave të mëdha”, ku defilojnë emra të ndryshëm nga jeta publike, qoftë në Kosovë, në Shqipëri, në Mërgatë po dhe në trevat tjera shqiptare.
Me këtë përmbedhje intervistash që tashmë përbëjnë një libër të rëndësishëm të publicistikës, gazetari dhe veprimtari Miftar Dragidella, ia jep mundësinë publikut lexues të shqipes, sidomos këtij këtu në Kosovë, që t’i ketë në dorë dhe t’i lexojë e të njihet me to, ngase, nga gjithë ato shpalime e shtjellime hallesh, brengash e synimesh të një morie personaliteve nga fusha e politikës, kulturës, shkencës e sportit, të cilat, në esencë kanë një qëllim të vetëm: afirmimin e kombit shqiptar në botë, të atij kombi që jeton në një pjesë të Ballkanit apo dhe i shpërndarë nëpër shumë shtete të botës.
Të gjitha këto bashkëbisedime, që kanë një rrjedhë shumë të natyrshme dhe parasegjithash njerëzore e kombëtare, janë në rend të parë rezultat i atij që i prinë këtij bashkëbisedimi. Pra, të vetë autorit Miftar Dragidella.
Autori iu jep mundësinë të rrëfehen për angazimet e tyre atdhetare sipas profesioneve që kanë dhe, natyrisht edhe përgjegjësive, duke mos i fshehur as rezultatet po, as edhe të metat.
Librit ia rritë vlerën piëkrisht bashkëbisedimi real, për shumë zhvilime nga këto fusha, ku dominojnë sportistët dhe njerëzit e kulturës, që, me të drejtë cilësohen si “ambasadorë të njëmendtë të kombit “.

Si Shtëpi Botuese, kemi qenë të nderuar për ta botuar këtë libër, edhe për faktin se na jep mundësinë për ta njohur përmes këtyre personaliteve ,një shpirt vetëmohues të mërgatës sonë që, për vite e vite , nuk kurseu asgjë, qoftë për lirinë e Kosovës, po, edhe për shtetëndërtimin e saj.
Tjetra, që është shumë qenësore, personalitetet e intervistuara , për vetë faktin se nga vijnë, përfaqësojnë një tërësi etnike shqiptare, të pandashme, pavarësisht realiteteve në terren.
Në këtë mënyrë dhe, përmes botimeve të këtilla, dhe, veçanërisht paraqitjeve të përbashkëta, që, parasegjithash janë meritë e autorit, ne para të tjerëve po dëshmojnë, se kombin e kemi mbi të gjitha, kudo që jemi….

—————–

( Fjalë e mbajtur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Prishtinë, më29 tetor 2018, me rastin e përurimit të librit publicistik të gazetarit dhe veprimtarit Miftar Dragidella: “Në kohët e kthesave të mëdha”, botuar kohë më parë nga Shtëpia botuese “BEQIR MUSLIU” )

 

You Might Also Like